Kandidati i koalicionit AAK-PSD, Dardan Molliqaj nuk është penduar aspak për atë se çfarë ka ndodhur mes tij dhe Haki Abazit. Madje, ai po thotë se të njëjtën gjë që kishte bërë do ta përsërisë çdo herë.
Molliqaj gjatë debatit në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme, ka kaluar në ofendime ndaj Abazit duke e quajtur kafshë e lepur.
“Këta të vjetrit në Vetëvendosje dhe të rinjtë që shkuan e prodhuan PDK 2.0 – sepse mos harroni që me fjalë të tilla PDK-ja pas luftës sulmonte të gjithë oponentët politikë – ‘hajna’, ‘tradhtarë’, ‘mashtrues’ dhe të ngjashme”.
“Sigurisht që unë nuk e toleroj këtë dhe do ta bëja të njëjtën prapë. Secili që shpif, ofendon dhe bën atë që bëri Hakiu, sigurisht që do ta marrë përgjigjen time se ‘çfarë ke për të thënë’ në studio dhe jashtë saj”.
“Ai ishte si kafshë e tërbuar ndaj nesh dhe më pas iku si një lepur prej asaj. Ishte rast që ndodhi, por për këtë duhet të mbajnë përgjegjësinë ata që e instaluan këtë mendësi në raport me neve. Përgjigja jonë ndaj tyre do të jetë gjithmonë e vërteta dhe argumenti – edhe në studio dhe pas studiove”, ka deklaruar mbrëmë Molliqaj në Klan Kosova.
Më tutje ai ka thënë se Vetëvendosja e dërgoi në debat një person që nuk ka fare respekt për të. Molliqaj e ka quajtur përsëri keqpërdorues të madh të fondeve Abazin sa ishte pjesë e shoqërisë civile.
“E dërguan një person për të cilin nuk kam fare respekt për të. Nuk dua të jem i kujdesshëm dhe korrekt, sepse siç e dinë të gjithë ata që e njohin, ai është një keqpërdorues jashtëzakonisht i madh i fondeve të organizatave të shoqërisë civile”.
“Ai ka qenë një person që në kohën kur ne ishim në burg dhe po arrestoheshim ka punuar kundër Vetëvendosjes. Ka e-maila të shkruar, statuse publike, insistime dhe takime me njerëz të Vetëvendosjes për ta dëmtuar dhe shkatërruar Vetëvendosjen”.
“Unë jam ballafaquar në studio televizive edhe me eksponentë të PDK-së, por asnjëherë nuk jam shmangur sepse kur e them fjalën i qëndroj prapa”, ka deklaruar Molliqaj.
Gazeta Sinjali kishte publikuar ekskluzivisht videon nga rrahja mes Molliqajt dhe Abazit që kishte ndodhur pas një debati televiziv./Gazeta Sinjali/