Partia Socialdemokrate ka dorëzuar kallëzimin penal ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për rastin e deklarimit të tij si veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dorëzimin e këtij kallëzimi në Prokurorinë Themelore në Prishtinë e ka bërë i pari i partisë, Dardan Molliqaj, bashkë me nënkryetarin, Zgjim Hyseni, raporton Gazeta Sinjali.
Molliqaj ka thënë se kryeministri Kurti ka bërë deklarime të rreme dhe ka mashtruar komisionin verifikues të veteranëve.
“Për deklarime të rreme. Kurti ka mashtruar komisionin verifikues të veteranëve. Kryeministri ka konsumuar vepër penale. Kryeministri ka një synim, jo ti luftojë veteranët e rrejshëm sepse i rrejshëm është vet, por Kurti kishte një synim, ta përbaltosë veteranin e vërtetë, ta rritë presionin ndaj veteranëve që ta ndërrojë një nen në ligjin për veteranët e UÇK-së. Pra Kurti nuk ka plan me i pastru listat e veteranëve të rrejshëm se i tillë është vet, por ka nevojë me i shkëputë veteranët nga kompensimi i pagës. Kurti është veteran luftëtar. Kemi publikuar letrën e dorëheqjes nga UÇK”, ka thënë Molliqaj.