image Molliqaj dhe 5 aktivistët e PSD-së dërgohen në mbajtje, kjo është vepra penale që rëndon mbi ta

Siguri

Molliqaj dhe 5 aktivistët e PSD-së dërgohen në mbajtje, kjo është vepra penale që rëndon mbi ta

news image

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj dhe pesë aktivistët e tjerë të arrestuar gjatë protestës së tyre kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, janë ndaluar për 48 orë. Kjo parti e ka quajtur këtë vendim si politik dhe të padrejtë, raporton Gazeta Sinjali.

Molliqaj, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Agron Kabashi, Korab Korça dhe Gent Brahimi pasi janë shoqëruar në stacion policor, janë intervistuar lidhur me rastin.

Siç mëson Sinjali, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sipas PSD-së, përmes arrestimit dhe ndalimit të kryetarit Molliqaj dhe anëtarëve të tjerë, kjo parti po izolohet që vizita e Trendafilovës të jetë sa më normale, që siç thuhet në njoftim, ta “ndalin zërin opozitar dhe ta relativizojnë padrejtësinë e Speciales”.

“PSD izolohet që Trendafilovës t’i bëhet vizita sa më normale. Por lufta e saj për imazh është e humbur. Prokuroria ka vendosur që kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, Zgjim Hysenit, Nol Nushit, Agron Kabashit, Korab Korçës dhe Gent Brahimit t’iu jepet masa e ndalimit për 48 orë.Për ne ky vendim është politik dhe i padrejtë. Kështu po provohet ta ndalin zërin opozitar, ta relativizojnë padrejtësinë e Gjykatës Speciale. Për PSD-në ky vendim është i papranueshëm dhe kërkojmë lirimin e aktivistëve tonë.” – thuhet në njoftim.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Kushdo që përdorë armë apo materie plasëse në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët apo materiet plasëse të tilla, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

Kurse kushdo që përdor armën apo mjetin e rrezikshëm në mënyrë kërcënuese ose frikësuese, dënohet me gjobë deri në dhjetëmijë (10.000) Euro dhe me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.

/GazetaSinjali/