image MMPHI shkëput kontratat e 20 pjesëtarëve të ish-“Mbrojtjes Civile” që nuk dilnin në vendin e punës

Kosovë

MMPHI shkëput kontratat e 20 pjesëtarëve të ish-“Mbrojtjes Civile” që nuk dilnin në vendin e punës

news image

Ministrja në detyrë e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Fitore Pacolli, ka marrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë të komunitetit serb të punësuar në këtë ministri.

Sipas arsyetimit të ministres Pacolli, zyrtarëve, të cilët janë të njohur edhe si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”, u janë ndërprerë kontratat për shkak të mungesës së vazhdueshme në vendin e punës, si dhe në bazë të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Sot është nxjerrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë të MMPHI-së nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-‘Mbrojtjes Civile’. Shkëputja e kontratave vjen si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës, si dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.”

Në njoftimin e saj, MMPHI ka bërë të ditur se nga evidencat zyrtare ka rezultuar se këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës.

Sipas ministrisë, bëhet fjalë për mungesa të vazhdueshme në vendin e punës dhe mosrespektim të detyrave të punës.

“Do të vendosim ligjshmëri të plotë dhe standarde të njëjta për secilin në administratën publike. Askush nuk mund ta mbajë statusin e të punësuarit pa përmbushur detyrimet që i takojnë. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjit, pa dallim përkatësie apo pozite, sepse shërbimi publik duhet t’u shërbejë qytetarëve me përgjegjësi dhe me respektim të plotë të detyrës zyrtare.”

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/