Mjeku kujdestar në qendrën e reanimimit në QKUK, ka treguar gjendjen e personit të cilin e përfshinë flakët nga zjarri që shpërtheu sot në një banesë në lagjen “Ulpiana” në kryeqytet.
Ai e ka djegur dorën e djathtë dhe këmbën e majtë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Për momentin vec një pacient është, rreth 30-tave . Rreth orës 9 të mëngjesit ndihma e shpejtë e ka sjellë, gjinia mashkull. Gjendja e tij është stabile, e ka të djegur dorën e djathtë dhe këmbën e majtë. E ka marrë terapinë. Ka me qëndru edhe nja 1 orë në reanimim dhe më pas do të dërgohet në kirurgji plastike. Për momentin në reanimim nuk ka pasur pacientë të tjerë, në repartet tjera nuk e di”, ka thënë ai.
Përveç këtij personi, Policia i ka thënë Gazetës Sinjali se 5 të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga zjarri që shpërtheu në një banesë në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë sot rreth orës 09:30.
“Sot rreth orës 09:30, policia ka marrë informatën se ka shpërthyer një zjarr në një banesë në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Deri tani gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, një nga ta është dërguar në QKUK- Prishtinë, për trajtim mjekësor, ndërkohë që 5 te tjerët tretmanin e kanë marrë në vend ngjarje (probleme me frymëmarrje nga tymi)”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. /Gazeta Sinjali/