Një mjek që e kishte drejtuar presidentin rus, Vladimir Putin, nëpër dhomat e një spitali ku po trajtoheshin pacientët me koronavirus është diagnostikuar edhe vetë si i infektuar.
Denis Protsenko, kryemjek në spitalin “Kommunarka” të Moskës, doli pozitiv në testin për koronavirus të martën, raportoi televizioni shtetëror rus.
Putini u takua me këtë mjek të mërkurën e kaluar gjatë një vizite të papritur në spital, gjatë së cilës ai i vizitoi disa dhoma dhe bisedoi me stafin mjekësor dhe pacientët, shkruan “The Guardian”.
Gjatë vizitës, Protsenko është fotografuar duke i shtrënguar duart me presidentin rus, kanë qëndruar bashkë në një ashensor dhe asnjëri prej tyre nuk ka pasur maskë të vendosur gjatë takimit.
Nuk është e qartë nëse mjeku ka qenë i infektuar para se Putini të shkonte për vizitë në spital. Sidoqoftë, Kremlini tha se të gjithë personat që takohen me presidentin kontrollohen paraprakisht në aspektin shëndetësor.
Një zëdhënës i Putinit nuk është përgjigjur në pyetjet nëse presidenti rus është testuar ditëve të fundit për koronavirus.
Vetëm të martën, Rusia i ka konfirmuar 500 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar në 2300 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.