image Mjeku problematik i Gjilanit – kirurgu Luan Mustafa ka rënë disa herë në telashe me ligjin

Drejtësi

Mjeku problematik i Gjilanit – kirurgu Luan Mustafa ka rënë disa herë në telashe me ligjin

news image

Kirurgu i Përgjithshëm dhe Abdominal, Luan Mustafa, i cili shërben në Spitalin e Regjional në Gjilan, ka rënë në prangat e Policisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme. Sërish.
Së fundi ai dyshohet se eskaloi në dhunë fizike ndaj kolegut të tij, kirurgut Arbër Morina, të cilin e rrahu dhe i shkaktoi lëndime trupore. Kjo u bë sebep që Mustafa të arrestohet dhe i njëjti më pas me urdhër të prokurorit u ndalua për 48 orë, raporton Gazeta Sinjali.

Por kjo nuk është hera e parë që Mustafës i dalin telashe me ligjin. Herë për ryshfet e herë për vepra tjera, kirurgut të njohur i ka rënë goxha shpesh të vizitojë qendrën e ndalimit.

Në prill të vitit të shkuar, Mustafa bashkë me anesteziologun, Halil Basha, ishin arrestuar nën dyshimet për marrje ryshfeti.

Basha dyshohet se kishte kërkuar 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa kirurgu Mustafa dyshohet se kishte marrë 330 euro, të cilat s’i mjaftuan pasi kërkoi edhe 200 euro shtesë.

Rasti u zbulua pasi hetuesit arritën të siguronin dëshmi gjatë dorëzimit të parave te njëri prej të dyshuarve.

Për ryshfet ishte arrestuar edhe në vitin 2023 nga Krimet Ekonomike.

Mustafa dyshohet se kishte kërkuar dhe pranuar para të gatshme në vlerë prej 500 €, nё zyrën e tij në qendrën spitalore në Gjilan nga një qytetar, me qëllim që ta operojë nënën e tij, e cila lëngonte nga një sëmundje në mëlçi.

Mbi këto dyshime, ishte ngritur edhe aktakuzë nga prokurori, Isuf Sadiku.

Luan Mustafa me datën 28 tetor 2013 në Spitalin e Gjilanit, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon dhuratë me qëllim të përfitimit për vete”, thuhej në aktakuzë.

Pas një beteje ligjore, Mustafa ishte shpallur i pafajshëm në shtator të 2016-ës.

Vendimi i Themelores, ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, e cila e kishte shpallur sërish të pafajshëm Mustafën.

Gjykata Themelore në Gjilan kishte arsyetuar vendimin se nuk është provuar që i akuzuari ka kryer veprën penale ‘Marrje e ryshfetit’.

Një rrëfim për këtë rast, e kishte dhënë pala e dëmtuar, Muhamet Osmani, i cili e përshkroi kirurgun Mustafa si mjek që ‘njerin për para e pren’.

Rrëfimin e plotë, mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm.

E së fundi, Mustafa u arrestua dje nën dyshimet se ka sulmuar fizikisht kolegun e tij, Arbër Morina.

Dr.Morina ka marrë lëndime trupore si pasojë e sulmit fizik me të cilin u përball dhe i njëjti ka kërkuar ndihmë mjekësore, teksa kirurgu Mustafa është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Morina ka rrëfyer gjithë ngjarjen, duke thënë se Mustafa e ndjekur pasi ka dalë nga salla dhe më pas e ka rrahur.

E sipas tij, sebep për këtë janë raportimet ndaj Mustafës, për të cilin thotë se disa herë ka thyer rregullat e spitalit.

Ai (kirurgu Luan Mustafa) më ka prit derisa kam dalë prej sallës, më ka ndjekë derisa kam hyrë tek zyra ime dhe më ka sulmu fizikisht. Nuk më ka shkuar mendja që dikush mundet me më sulmu fizikisht për shkak se unë po e bëj një punë të mirë në Kirurgji dhe nuk e kam mendu këtë pjesë. Unë kam tentu me nxjerrë disa herë nga zyra, nuk kam arrit dhe më ka sulmu fizikisht derisa kanë ardhë kolegët e spitalit

 “Evidentimin e problemeve e kam bërë me shkrim për çdo shkelje të mundshme. Thyerja e rregullave të punës, mospërmbajtja e rregullave profesionale mjekësore, orarit të punës. Unë i kam raportuar, të gjitha ato ju kanë grumbullu atij (Luan Mustafës) dhe në momentin që drejtoria i ka thënë që ka me u përballë me Komision Disiplinor, ai ka ardhë në zyrën time dhe më ka sulmuar”, ka thënë Morina për ‘BetimipërDrejtësi’.

Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili tha se viktima ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Ankuesi (sh/k/m 1978) i cili punon mjek në Spitalin Regjional në Gjilan derisa ishte në zyrën e tij tek reparti i Kirurgjiës është sulmuar fizikisht nga kolegu i tij i dyshuari L. M. duke pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor“, tha ai.

Sipas Hashanit, Mustafa është larguar nga vendi i ngjarjes, por më pas ai është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që kirurgut t’i caktohet masa e ndalimit policor, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Pas këtij rasti, Spitali Regjional në Gjilan ka marrë masa ndaj Mustafës.

Drejtori i përgjithshëm i Spitalit në Gjilan, Arsim Emini, i tha Sinjalit se  Komisioni ka marrë vendim për masë të përkohshme ndaj Mustafës, suspendim nga puna për 3 muaj me 50% pagesë.

Komisioni disiplinor, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ka marrë vendim për masë të përkohshme, suspendim nga puna për 3 muaj me 50% pagesë deri në vendimin e plotfuqishëm i cili do të merret pas shqyrtimit detal të rastit”, tha Emini.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/