Kardiokirurgu i Spitalit Amerikan në Kosovë, Besnik Kojqiqi, ka qenë mjeku përgjegjës për operacionin e arterieve të qafës, të cilat iu kishin mbyllur pacientit nga Peja S. N., duke i shkaktuar sulm në tru.
Por, ky operacion nuk u krye fare pasi mjekët e Spitalit Amerikan, në vend të zhbllokimit të arterieve të qafës, i vendosën pacientit stentë në zemër, gjë që sipas familjarëve, e rëndoi edhe më shumë shëndetin e prindit të tyre duke i shkaktuar infarkt të sërishëm sapo doli nga spitali me insistimin e mjekëve.
Familjarët akuzojnë mjekët e Spitalit Amerikan, për mungesë koordinimi dhe bashkëpunimi për prioritizimin e nevojave emergjente për eliminimin e rrezikut të përsëritjes së infarktit.
Ata thonë se ajo që i ka shqetësuar tej mase ishte mungesa e trajtimit mjeksor në kolegjium, pasi sipas tyre, prindi kishte probleme të ndërlidhura shëndetësore.
I biri, Leon Nimani thekson se ndonëse babai i tyre kishte arteriet e bllokuara, kardiokirurgu, Besnik Kojqiqi që ishte i thirrur për zhbllokimin e tyre, nuk e kishte parë e as vizituar asnjëherë pacientin gjatë dhjetë ditëve të qëndrimit në spital. Krejt kjo, sipas tij, me arsyetimin e mjekut se nuk i përzihet kolegëve në punën e tyre derisa pacienti t`i vjen në dorë.
“I thom një mjekut Besnik (Kojqiqi) qysh asnjëhërë s`ke shku me vizitu babin se ai është për karotide aty. Thotë unë nuk kam nevojë më shku me pa pacientin se thotë unë i shoh prej dokumentave. Unë ia bëj, a është pacienti 100 km larg që s`mundesh me pa, e ki në të njëjtin spital? Jo, thotë, unë nuk i ndërhyj kolegëve. Qysh more nuk i ndërhyn kolegëve kur ky është trajtim i përbashkët zemra, karotidet, gjaku dhe ju duhet me u konsultu mes veti çka me bo! Jo thotë, deri sa s`ma bijnë në repart temin! Ta merr mendja që reparti i tij ëshë në Kinë e ky në Amerikë. Ti aty e sheh që nuk funksionon kurrgjë hiç.”, thekson Nimani.
Përkundër kësaj, mjeku Kojqiqi nuk hezitonte të fliste në distancë dhe të jepte mendime për gjendjen shëndetësore të pacientit, madje duke u rekomanduar familjarëve që ta largonin nga spitali me arsyetimin se pacienti nuk është rast urgjent për operim.
“Ai nuk është urgjent nuk është që duhet patjetër me u bo sot se po nuk u bo sot… Nuk është operacion, t`ish konë i tillë ai është tjetër sen. Kështu që edhe i ndihmon. Psiqikisht pacientëve u ndihmon kur të dalin prej spitalit në shpi.”, thoshte mjeku Kojqiqi.
Gazeta Sinjali ka siguruar audioincizimin ku dëgjohen biseda mes mjekut, Besnik Kojqiqi dhe familjarëve të pacientit, para lirimit nga spitali. Ky takim është rekorduar nga familjarët duke parë siç thonë ata neglizhencën dhe trajtimin e pandërgjegjshëm mjekësor të personelit të Spitalit Amerikan.
Leon Nimani: – …. Me sa e kuptova deri tash ju veç s`jeni marr hala me pacientin?!
Dr. Besnik Kojqiqi: – Jaak
Leon Nimani: – Na po diskutojmë për diçka, pa e ditë çka ka pacienti dhe diqysh po vjen një qasje, jo…
Dr. Besnik Kojqiqi: –Dëgjom!
Leon Nimani: – …..a e din se po folim një orë, ju hala nuk e keni vizitu pacientin e po folim për pacientin…. Jam i shqetsum me situatën edhe i kam pyet njëkohësisht tanë kohën edhe me kanë folë muhabete të ndryshme. A po kupton? Jo qikjo, jo ajo!
Dr. Besnik Kojqiqi: – Qysh me tu drejtu. Emrin qysh e pate?
Leon Nimani: – Leon, edhe po du me u kthy prapë te ajo ku është shqetësimi, sikur puna e asaj makinës që folëm. Po folim për një makinë që s`e kena pa!
Dr. Besnik Kojqiqi: – E qartë!. Leon, ky nuk ka qenë pacient i imi, dakord. Ka qenë pacient i kardiologëve edhe i neurologut. Tash, si në çdo spital, neorologu ka ardhë, kardiologu e ka kry problemin e vetë. Neoruologu Blerimi ka ardhë te unë edhe tha, kështu-kështu, kështu- kështu… Thashë OK, e bëjmë! Domethënë teknikisht unë e rrugulloj atë. Tha ata po dojnë me dalë në shpi naj ditë, po flas dje, a po? Dje kanë qenë pak, tha doctor, po dojnë me bisedu me ty, po dojnë me dalë në shpi edhe me ardhë në javën e ardhshme. Edhe dakord, unë aty nuk kam çka futem te ai. Ai është pacient i imi në momentin që ai vjen shtrihet në repart timin.
Por, pacienti nga Peja S. N., nuk arriti më të shtrihet në repartin e kardiokirurgut, Besnik Kojqiqi pasi, me t’u liruar nga spitali me inistimin e mjekëve, ai pësoi infarkt në veturë. Familjarët të tmerruar dhe të zhgënjyer me këtë situatë detyrohen të kërkojnë shërim jashtë Kosovës.
Ata e dërgojnë prindin me urgjencë në një shtet të rajonit, ku brenda një kohe të shkurtër babai i tyre merr vetën dhe shpëton nga humbja e jetës.
Familjarët theksojnë se operacionin që si pasojë e neglizhencës dhe trajtimit të pandërgjgjshëm mjekësor babai i tij nuk arriti ta kryente për 10 ditë në Spitalin Amerikan, e kreu brenda dy ditësh në një spital privat jashtë vendit.
Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë me mjekun Besnik Kojqiqi, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Gjatë kësaj jave Gazeta Sinjali ka publikuar disa shkrime rreth këtij skandali në Spitalin Amerikan duke zbardhur dokumente, korrespondenca, audio-incizime, që dëshmojnë mashtrimet, papërgjegjësinë dhe neglizhencën e personelit mjekësor të këtij institucioni privat, i cili po vazhdon të vjelë miliona euro nga qytetarët kosovarë prej vitesh në Kosovë./Gazeta Sinjali/
Në shkrimin e radhës Gazeta Sinjali do të ndriçojë bisedat e familjarëve me menaxherin e Spitalit Amerikan në Kosovë, Igli Larashin, i cili veprimtarinë e mjekëve të këtij institucioni privat e ndërlidh me Amabasadën Amerikane në Kosovë.