Mjekët e QKUK-së mbrëmë ia kanë shpëtuar jetën një 21-vjeçari.
Ata kanë arritur që me sukses t’ia heqin në mënyrë mekanike gjakun e ngjizur në arterien e trurit. Ky është rasti i dytë i tillë në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
“Mbrëmë, një të riu 21 vjeçar, në fazën e hershme të humbjes së aftësisë së të folurit, të lëvizshmërisë së dorës dhe këmbës së djathtë, i është kryer trombektomia mekanike (heqja e gjakut të ngjizur në arterien e trurit në mënyrë mekanike), rasti i dytë në Kosovë”, njofton QKUK.
Pas këtii intervenimi, pcientit i është kthyer menjëherë lëvizshmëria e humbur e gjymtyrëve.
Ky intervenim është kryer në Klinikën e Radiologjisë, në bashkëpunim me Klinikën Emergjente, Klinikën e Neurologjisë dhe atë të Anestezionit.
QKUK njofton se ekipi mjekësor përbëhej nga radiologët, Dr. Bujar Imeri, Dr. Ilir Bejta, Dr. Jeton Shatri udhëhequr nga Dr. Bujar Gjikolli, përkrahur nga ekpi i anestezionit Dr Arjan Ademi, anestezisti Tafil Gashi , Dr. Nerxhivane Halimi, Dr. Gazmend Hasbahta dhe Dr.Shkëndije Nuza.
“Me këtë procedurë po stabilizohen shërbimet e neuroradiologjisë intervente në Klinikën e Radiologjisë, duke ofruar mundësi pacientëve kosovarë të cilët këto shërbime nuk i kanë pasur më parë”.
“Për realizimin e këtyre procedurave, sistemi i shërbimeve shëndetësore në Kosovë duhet të jetë efektiv dhe reagimi duhet të bëhet para kalimit të dritares kohore prej 4-5 orëve nga fillimi i sulmit iskemik në tru”, thuhet në komunikatën e QKUK-së. /Gazeta Sinjali/