Misioni i OSBE-së ka publikuar raportin për trajtimin e rasteve të terrorizmit nga gjykatat e Kosovës.
Në njoftimin e tyre thuhet se ndjekja e veprave të terrorizmit është dëshmuar si çështje sfiduese kudo nëpër botë dhe Kosova nuk përbën përjashtim.
“Megjithatë, institucionet gjyqësore duhet të sigurohen që këto raste t’i gjykojnë drejtë, në mënyrë efektive dhe në respektim të plotë të standardeve të të drejtave të njeriut, kështu konkludon raporti i fundit tematik publikuar sot nga Misioni i OSBE-së në Kosovë”.
“Raporti i titulluar Trajtimi i rasteve të terrorizmit nga sistemi i drejtësisë penale të Kosovës analizon rastet e terrorizmit gjatë periudhës tre vjeçare nga 2018 deri më 2020. Më tutje, raporti identifikon trendet në praktikat e ndjekjes dhe ofron një pasqyrë të progresit në ndjekjen e rasteve të terrorizmit, si dhe nënvizon fushat ku duhet përmirësim”, thuhet në komunikatën për media.
Ata thanë se raporti vë në dukje trende pozitive në menaxhimin e rasteve të terrorizmit, përcjell Klankosova.tv.
“Duke njohur progresin e fundit dhe përkushtimin e lartë të institucioneve dhe praktikuesve ligjorë në Kosovë për të parandaluar dhe ndjekur penalisht terrorizmin, raporti vë në dukje trende pozitive në menaxhimin e rasteve dhe ndjekjen e tyre. Megjithatë, janë identifikuar disa shqetësime në lidhje me ndjekjen e financimit të terrorizmit, cilësinë e aktakuzave dhe vendimeve, si dhe përdorimin e paraburgimit. Raporti përfundon me rekomandime për institucionet kyçe në Kosovë që merren me rastet lidhur me terrorizmin në mënyrë që legjislacioni aktual të jetë në përputhje me standardet ligjore të BE-së dhe ato ndërkombëtare, dhe me qëllim të forcimit të kapacitetit të të gjithë sistemit të drejtësisë dhe akterëve të zbatimit të ligjit për t’iu përgjigjur këtyre rasteve”, thuhet në njoftim.
Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë ka thënë se terrorizmi është një kërcënim gjithnjë në zhvillim ndaj sigurisë dhe kërkon hetim.
“Terrorizmi është një kërcënim gjithnjë në zhvillim ndaj sigurisë që kërkon hetim, ndjekje penale dhe gjykim të fuqishëm. Ne duhet të jemi vigjilent në përgjigje ndaj këtyre sfidave, por përgjigja jonë duhet të respektojë edhe të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë”.
“Shpresoj se ky raport do të shërbej si informacion për punën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve që punojnë në këto raste dhe do t’u mundësojë që të vazhdojnë t’i zhvillojnë kapacitetet e tyre për t’i menaxhuar këto lëndë në standardet më të larta të mundshme. Raporti është një pikënisje dhe me kënaqësi pres mundësi të mëtejshme për të diskutuar rreth gjetjeve. Do të përfundoj duke ritheksuar se Misioni është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në zbatimin e rekomandimeve të Raportit”, është shprehur ai.