Mirlind Daku ka arritur ta kalojë si është më së miri periudhën e keqe që e pati pas përfundimit të Europianit për Kombëtaren e Shqipërisë.
Daku ishte krye temë në kampionatin Evropian. Ai ishte dënuar nga UEFA me dy ndeshje moslojë për shkak se pas ndeshjes me Kroacinë mori altoparlantin dhe nisi një këngë fyese ndaj serbëve dhe maqedonasve.
Më pas, klubi në të cilin ai bën pjesë, Rubin Kazani kishte hapur ndaj tij një procedurë disiplinore.
Por, të gjitha këto Mirlindi i ka lënë pas krahëve dhe ka filluar shkëlqimin me Rubinin që në start të edicionit.
Daku ishte njeriu i ndeshjes së javës së parë mes Nizhny Novgorod dhe Rubin Kazan, ku skuadra e tij fitoi me rezultat 4-2.
26-vjeçari ishte autor i një goli dhe një asistimi, duke qenë rreziku kryesor në portën e vendasve.
Pas çmimit si lojtari i ndeshjes, sulmuesi kuqezi është futur dhe në formacionin më të mirë të javës së parë në Ligën Premier të Rusisë.
Ai është sulmuesi kryesor në 11-shen më të mirë të javës, duke dëshmuar se është në një formë të shkëlqyer.
Këtë edicion, Daku ka marrë dhe fanellën me numrin 10 dhe është një nga lojtarët më të rëndësishëm te Rubin Kazan.
Ofertat për Mirlind Dakun nuk kanë munguar, ku flitej për një transferim të mundshëm drejt Serie A, me Calgiarin që kishte shfaqur interesim.