image Miratohet rezoluta e Kuvendit të Kosovës që dënon sulmin në veri

Politikë

Miratohet rezoluta e Kuvendit të Kosovës që dënon sulmin në veri

news image

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën që dënon sulmin terrorist në veri të Kosovës.

Të gjithë deputetët e pranishëm, 97 kanë votuar pro.

Deputetët e Kosovës përmes një rezolute të votuar sot në Kuvend, kanë dënuar sulmin terrorist që la të vrarë policin, Afrim Bunjaku, tashmë hero i vendit.

Kryetari i Kuvendit Glauk Kojufca e ka paraqitur përmbajtjen e Rezolutës para deputetëve.

“DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet në Rezolutë.

Përmbajtja e Rezolutës:

–              Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës;

–              Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;

–              Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;

–              Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cënuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës;

Kuvendi i Republikës së Kosovës

1.            DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;

2.            VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultetet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të smbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;

3.            OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

4.            KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;

5.            INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.

6.            KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përmbashkëta euro-atlantike;

7.            KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë;

/GazetaSinjali/