image Miratohet rekomandimi për shkarkimin e Bordit të RTK-së, fjalën e fundit e ka Kuvendi

Politikë

Miratohet rekomandimi për shkarkimin e Bordit të RTK-së, fjalën e fundit e ka Kuvendi

news image

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka miratuar Rekomandimet e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere në lidhje me shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), shkruan Gazeta Sinjali.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit është kërkuar që të iniciohet shkarkimi i Bordit për shkak të paaftësisë profesionale, që Bordi të jetë personalitet me integritet të lartë profesional dhe etik, si dhe të bëhet plotësim- ndryshimi i ligjit për RTK-në.

Anëtarët e këtij komisioni që vijnë nga radhët e opozitës kanë dalë kundër këtij rekomandimi dhe e kanë cilësuar atë si veprim politik, ndërsa në anën tjetër anëtarët nga radhët e LVV kanë thënë se ka arsye të qëndrueshme për shkarkim të Bordit të RTK-së.

Deputeti i LVV-së, Nijazi Isaku ka deklaruar se bordi i RTK-së ka lejuar që të ndodhin punësime familjare brenda RTK-së, pastaj nuk ka ndërmarrë masa për fyerjet të cilat i ka bërë menaxhmenti ndaj figurave politike.

LVV-ja ka theksuar se për përzgjedhjen e bordit të ri të RTK-së do të shpallet konkursi, i cili do të monitorohet nga Ambasada Britanike.

Anëtarët e bordit të RTK-së të cilët pritet të shkarkohen nga Kuvendi janë Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku. /Gazeta Sinjali/