Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrullah Çeku, tha se me gëzim e ka pranuar letrën e ministres së Kulturës së Francës Roselyne Bachelot – Narquin, me anë të cilës konfirmohet vullneti i qeverisë franceze për bashkëprodhim kinematografik.
“Jam tejet i gëzuar që sot edhe në kopje fizike kam pranuar letrën e ministres franceze të kulturës Roselyne Bachelot – Narquin, përmes së cilës ajo konfirmon vullnetin e qeverisë franceze për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëprodhimit kinematografik me Kosovën”.
Çeku tha se marrëveshja do të nënshkruhet gjatë pjesës së dytë të muajit maj, kur edhe mbahet festivali i njohur i filmit në Cannes.
“Marrëveshja përkatëse mes dy shteteve tona do të nënshkruhet gjatë Festivalit të Kanës në pjesën e dytë të muajit Maj. Kjo marrëveshje u ofron mundësi dhe mbështetje shtesë filmbërësve të Kosovës për bashkëpunime kinematografike me partnerët francezë”.
“Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për zyrtarët e Ambasadës së Francës në Kosovë, duke filluar nga ambasadorja Marie-Christine Butel, këshilltari për kulturë Donato Giuliani, dhe atasheu për kulturë Valon Ibraj. Angazhimi i tyre këmbëngulës ka qenë vendimtar për jetësimin e kësaj marrëveshje bilaterale”.