image Ministrja Haxhiu mbledh Grupin Punues për “Vetting”, bojkotohet nga Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial

Drejtësi

Ministrja Haxhiu mbledh Grupin Punues për “Vetting”, bojkotohet nga Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial

news image

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka mbledhur sot në takim Grupin Punues për Vettingun në drejtësi.

Megjithëse ministrja tha se ka qenë rrugë e vështirë deri te finalizimi i koncept-dokumentit për Vettingun, ajo shprehi keqardhje që në këtë takim nuk ishin pjesëmarrës përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial.

“Të gjithë ne nuk do të mund t’i arrinim rezultate pa një bashkëpunim të mirë. Ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë me institucionet e drejtësisë dhe më vjen keq që nuk janë të pranishëm përfaqësuesit nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial”, tha Haxhiu.

Kjo deklaratë e saj vjen pasi edhe këtë takim të sotëm të grupit punues për procesin e vettingut e kanë bojkotuar anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij Gjyqësor, të cilët po refuzojnë grupin punues për shkak se sipas tyre është ndërhyrje në drejtësi.

Përfaqësues të KPK-së dhe KGJK-së kohë më parë janë larguar nga ky grup punues për shkak se nuk janë marrë për bazë rekomandimet e tyre dhe se i gjithë procesi rrezikon pavarësinë e këtyre dy institucioneve.

Haxhiu gjatë këtij takimi u shpreh se pas komenteve të Komisionit të Venecias për këtë proces ndodhen para një situate të re dhe më të ndriçuar për reformën në drejtësi.

/GazetaSinjali/