Ministrja në detyrë ë Ekonomisë, Rozeta Hajdari, në mbledhjen për prezantimin e punës së qeverisë për 100 ditë, ka theksuar se ka trashëguar një ekonomi jo të mirë nga qeveritë e kaluara.
Hajdari tha se ka gjetur keqqeverisje dhe shpërdorime të mëdha në borde të ndërmarrjeve publike.
“Pashmangshëm është dashur të merremi me pasojat që kemi trashëguar nga qeveritë e kaluara. Me qëllim të ruajtjes së ekonomisë lidhur me emergjencën e shëndetit publik janë nxjerrë gjithashtu vendime për qarkullimin me miell”, tha Hajdari.
Ajo më tutje falënderoi ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitian, për bashkëpunimin që kanë pasur gjatë kësaj kohe pandemie, duke i kërkuar mirëkuptim për trashëgiminë e keqe që kanë marru nga qeveritë e kaluara.
“Ministri Vitia më ka dëgjuar shumë në këtë kohë. E kuptoj ministrin Vitia që ka trashëguar një shëndetësi në gjendje jo të mirë por edhe ai duhet të më kuptojë që gjithashtu unë kam trashëguar një ekonomi jo stabile me jolikuiditet e ekonomi jofromale dhe joinvestime”, u shpreh Hajdari.
Hajdari gjithashtu përmendi edhe bashkëpunimin që kanë pasur me Bashkimin Evropian për menaxhimin e fondeve për Covid-19.
“Ne kemi punuar për të nxitur fonde nga Bashkimi Europian, 160 milionë euro si mbështetje buxhetore nga zyra e BE-së. Ata kanë përkrahur gjithashtu me 5.5 milionë euro. Jemi në diskutim edhe me donatorë të tjerë për të investuar në ngritjen e bizneseve të vogla dhe të mesme”, tha ajo.
Hajdari tha se sa i përket Inspektoriatit të Punës, ata janë aktivizuar dhe gjatë kësaj kohe në pandemi, janë zhvilluar 293 inspektive dhe janë shqiptuar mbi 30 gjoba për bizneset që nuk kanë respektuar masat./ Gazeta Sinjali/