image Nagavci: Granti për arsimin parauniversitar do të jetë mbi 201 milionë euro

Arsim

Nagavci: Granti për arsimin parauniversitar do të jetë mbi 201 milionë euro

news image

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se Komisioni i Granteve, në një takim të mbajtur para disa ditësh, ka miratuar grantin specifik të arsimit parauniversitar, i cili pritet të jetë 201 milionë e 494 mijë e 543 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Në këtë takim, Nagavci thotë se e ka njoftuar komisionin që ministria e udhëhequr nga ajo, ka planifikuar që mësimdhënësit, të cilët janë të punësuar të ri-kualifikohen dhe këtë vit të mos reduktohet numri i mësimdhënësve.

“Pra, rreth 1,800 mësimdhënës që rrezikoheshin të mbesin pa punë, do të mbeten në sistem, ndërkohë që do të hulumtojmë dhe analizojmë situatën pas rënies të numrit të nxënëseve, si dhe rishikimin e formulës së financimit të Arsimi Parauniversitar që ka të bëjë me parametrat e mësimdhënësve dhe të stafit administrativ dhe teknik”, shkroi ndër të tjera ajo në Facebook.

E para e Arsimit tha se këta parametra duhet të rishikohen dhe të ndryshohen për kalkulimin e grantit të ri të Arsimit Parauniversitar për vitet në vijim.

Komisioni i Granteve ka miratuar politikat për periudhën 2022/2024, në mesin e të cilave parashihet asistenca për fëmijët me nevoja të veçanta, realizimi i praktikës profesionale, paga jubilare për mësimdhënësit, shujta ditore për fëmijët nga klasa I deri në klasën V.

“Ndryshimet i bëjmë me punë e angazhim të përbashkët”, ka shkruar ministrja.

Politikat të cilat janë aprovuar nga komisioni i Granteve për vitin 2022/24:

Politikat në vazhdimësi për vitin 2022-2024 janë: Asistent për fëmijët me nevoja të veçanta.

Pagesa e realizimit të praktikës profesionale për nxënësit e arsimit dhe aftësimit profesional.

Paga jubilare sipas kontratës kolektive për arsim.

Rritja e përfshirjes së fëmijëve të moshës parashkollore (me fokus në moshën 4-5 vjeçare) në klasa parafillore në shkolla, si dhe rritja e përfshirjes (për 10 %) të moshave të tjera në institucione të reja parashkollore.

Pagesa e shpenzimeve për validim dhe akreditim të shkollave të mesme të larta profesionale.

Kërkesë shtesë për ndarjen e numrit të asistentëve për fëmijët në arsimin parauniversitar.

Shuma e buxhetit të kërkuar për këtë kategori është në vlerë prej 787,662.00€.

Për realizimin e praktikës profesionale për nxënësit e arsimit dhe aftësimit profesional kërkohet buxhet shtesë për vitin 2022 në vlerë prej 3,500,000 €.

Paga jubilare, sipas kontratës kolektive për arsim, në shumë prej 1,247,057€.

Rritja e përfshirjes së fëmijëve të moshës parashkollore (me fokus në moshën 2-5 vjeçare) në klasa parafillore në shkolla, si dhe rritja e përfshirjes (për 3.5 %) të moshave të tjera në institucione të reja parashkollore në shumë prej 2,014,527€ (paga dhe mëditje 1,935,679 € dhe 78,848 € mallra dhe shërbime) .

Pagesa e shpenzimeve për validim dhe akreditim të shkollave të mesme të larta profesionale 38,400 €.

Politika të reja për vitin 2022-2024:

Mësimdhënësit me gjendje të rëndë shëndetësore dhe pagesa e shpenzimeve për shujtën ditore për nxënësit nga kl. 1-5:

Personeli edukativo-arsimor dhe administrativ me gjendje të rëndë shëndetësore në shumë prej 1,746,163 €.

Pagesa e shpenzimeve për shujtën ditore për nxënësit nga kl. 1-5 është 4,000,000.00 €./Gazeta Sinjali/