Gazeta Sinjali raportoi më herët për një sulm seksual ndaj një nxënëseje të klasës së parë të shkollës fillore “Faik Konica” në kryeqytet, nga disa nxënës më të rritur në këtë shkollë.
Lidhur me këtë, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci. Ajo ka thënë se rastin do ta trajtojmë me prioritet dhe kujdes të veçantë.
“Në lidhje me shkrime dhe statuse të shumta që janë publikuar sot rreth një rasti që dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të një shkolle në kryeqytet. Edhe pse nuk kemi ende informata zyrtare, ju siguroj se do ta trajtojmë me prioritet dhe kujdes të veçantë. Besoj se njejtë do të veprojnë të gjitha institucionet kompetente”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Sipas saj, është me rëndësi të ketë bashkëpunim në mes të shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale e instucione tjera përgjegjëse në menyrë që të eliminohen dukuritë negative nga shkollat.
“Është shumë me rëndësi që në vazhdimësi të ketë bashkëpunim të plotë në mes të shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale e instucione tjera përgjegjëse. Të gjithë së bashku duhet të punojmë shumë për edukim dhe në mënyrë që t’i eleminojmë dukuritë negative nga shkollat dhe shoqëria jonë. Meqë bëhet fjalë për fëmijë të mitur, i ftoj të gjithë që të përmbahen nga çdo deklaratë dhe publikim që përmban të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e tyre”, ka shkruar Nagavci./Gazeta Sinjali/