Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka hedhur poshtë mundësinë e dorëheqjes pas zhdukjes së mbi dy milionë eurove nga Thesari i Kosovës, duke thënë se drejtësia do t’i japë dënimin e merituar çdokujt që ka dorë në këtë abuzim.
“Ndoshta më e lehtë do të ishte të japë dorëheqje dhe të marrë një përgjegjësi që nuk më takon dhe ata që e kanë bërë krimin të veprojnë të lirë. Po të shihet përgjegjësi e imja, unë menjëherë do të isha dorëhequr”, u shpreh Bajrami në Debat Plus.
2.1 milionë euro nga Thesari i Shtetit kanë shkuar në llogari të operatorit ekonomik LDA Group SH.P.K., e lidhur me këtë rast njëri zyrtar edhe është arrestuar, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati. Zyrtari i arrestuar për 11 vjet ka qenë punëtor i Thesarit të Shtetit.