image Ministria e Shëndetësisë nuk e di kur do të arrijnë vaksinat antiCOVID, arsyetohet se pse nuk i siguroi në shkurt

Shëndetësi

Ministria e Shëndetësisë nuk e di kur do të arrijnë vaksinat antiCOVID, arsyetohet se pse nuk i siguroi në shkurt

news image

Ministria e Shëndetësisë së bashku me IKSHPK-në dhe zyrat e OBSH-së dhe UNICEF-it në Kosovë ka dalur me një komunikatë të përbashkët lidhur me sigurimin e vaksinave antiCOVID, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas një njoftimi, MSH ka bërë të ditur se që nga muaji korrik kanë filluar aktivitetet për sigurimin e vaksinës antiCOVID, duke nënshkruar marrëveshje kështu me një mekanizëm global COVAX.

COVAX është një iniciativë globale që synon qasje të barabartë në vaksinat antiCOVID të shteteve me të ardhura të vogla dhe të mesme, ku parashihej që Kosovës t’i dhuroheshin falas vaksinat për 20 për qind të popullatës, apo që i bie për 360 mijë banorë.

MSH ka njoftuar se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për aplikimin e përfitimit të këtyre vaksinave.

Po ashtu, është bërë edhe Plani shtetëror që në fazën e parë të vaksinohen grupet pritoritare apo 3 për qind e popullsisë, duke përfshirë më pas edhe 17 për qind tjetër të popullsisë dhe më vonë 50 për qind, me qëllim që të arrihet mbulueshmëria e vaksinimit prej 79 për qind e popullsisë në Kosovë.

“MSh bashkë me IKSHPK, Zyrën e OBSH-së dhe Zyrën e UNICEF-it, pas përmbushjes së të gjitha kushteve, po pret konfirmimin final për marrjen e dozave të para të vaksinave kundër COVID-19, përmes mekanizimit COVAX”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjithashtu, përmes njoftimit, MSH-ja ka treguar edhe hapat tjerë që ka ndërmarrë për sigurimin e vaksinave antiCOVID.

Hapi tjetër në të cilin është angazhuar MSH për sigurimin e vaksinave ka të bëjë me kontaktet me shtetet e BE-së dhe drejtpërdrejt me prodhues të vaksinave.

Kështu, së bashku me Komisionin për negocim për vaksinën antiCOVID kanë kontaktuar me përfaqësuesin e PFIZER, Roberto Rocha.

Më 30 dhjetor, MSh është njoftuar nëpërmjet e-mailit se nga përfaqësues të kompanisë se Pfizer e ka futur në listën e vet edhe Kosovën sa i përket mbështetjes për ndarjen e sasive të vaksinës kundër COVID-19, të ndara në disa kontigjente.

Sipas njoftimit që MSh kishte marrë më 30 dhjetor nga Pfizer, kjo kompani kishte bërë edhe orarin përcjellës të shpërndarjes së vaksinave për Kosovën, sipas të cilit 11.700 doza do të shpërndaheshin në fund të shkurtit nga Pfizer, 13.600 doza në Q2 -kuartalin e dytë të vitit dhe pjesa e tretë prej 2.374.650 dozave në pjesën e dytë të vitit 2021.

Ndërsa, më 8 janar, MSh-së i është konfirmuar sërish se 500.000 vaksina të Pfizer janë ndarë për Kosovën.

Po ashtu, përtej negocimit me PFIZER, MSh ka arritur pajitimin edhe me shtetin e Austrisë për sigurimin përmes tyre të 600 000 vaksinave, të cilat do të mund të merren pasi shteti austriak t’i ketë bërë blerjet e vaksinave në sasitë e nevojshme edhe për vete.

Angazhimet e BE-së ndërkaq për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 dihen, dhe ato deri tash nuk kanë rezultuar me sigurimin konkret të dozave të para, përkundër ndarjes së një shume të konsideruar të mjeteve financiare për këtë qëllim, nga të cilat, 7.5 milionë do të përfitojë edhe Kosova.

Gjithashtu, MSH ka folur edhe rreth presionit që është duke i’u bërë nga vendet tjera lidhur me procesin e vaksinimit në Kosovë, veçanërisht për ndërhyrjet që po i bën Serbia në Kosovë, duke i ftuar qytetarët serb të vaksinohen në Serbi.

Përmes komunikatës, MSH ka thënë se qytetarët janë informuar edhe më parë se përcaktimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë i qartë prej fillimit që qytetarët kosovarë duhet të vaksinohen me vaksina të cilat kanë marrë miratim nga FDA, EMA dhe OBSh dhe jo me vaksina nga Serbia e Rusia./Gazeta Sinjali/