image Ministria e Shëndetësisë – emërime, dorëheqje e riemërime të shumta brenda një kohe të shkurtë

Politikë

Ministria e Shëndetësisë – emërime, dorëheqje e riemërime të shumta brenda një kohe të shkurtë

news image

Pasi pati dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë, për të garuar për kryetar Prishtine, sot Arben Vitia është emëruar përsëri ministër i Shëndetësisë nga kryeministri Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.

Emërimi i tij u bë i ditur përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi shumë të shkurtër.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitinë, ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij.” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Pasi humbi garën për të parin e kryeqytetit në Prishtinë, edhe pse pozita e tij si ministër i Shëndetësisë ishte boshe gjatë gjithë kohës kur ai po garonte për kryetar të kryeqytetit, Arben Vitia nuk u kthye në atë detyrë. Ai u angazhua në një klinikë private.

Rifat Latifi ishte ministër i Shëndetësisë i Kosovës për dhjetë muaj. Më 6 tetor ai njoftoi dorëheqjen.

Ai përmes një letre publike kishte treguar sfidat dhe arritjet që ka përjetuar gjatë kohës që ishte në krye të kësaj ministrie.

Ai tha se kur u bë në krye të kësaj ministrie, kishte parë keqmenaxhim, pak buxhet dhe mungesë të ekipeve ekspertësh për administrimin dhe realizimin e projekteve kapitale që tashmë kishin filluar.

Opozita kishte kritika të mëdha ndaj ish-ministrit Latifi, të cilat kishin të bënin kryesisht me udhëtimet e tij të shpeshta jashtë vendit dhe mos gjetjen e zgjidhjeve për ta përmirësuar shëndetësinë.

Kritikat e vazhdueshme ndaj tij ishin intensifikuar shumë para se Latifi të jepte dorëheqje. Kjo bëri që kryeministri Kurti të krijojë një komision që vendosi ta udhëheqë vetë.

Riemërimi i Arben Vitisë në krye të kësaj ministrie është shoqëruar me kritika nga opozita.

Armend Zemaj, ministri i mëparshëm i Shëndetësisë, përmes një postimi në Facebook në reagimin ndaj rikthimit të Arben Vitisë në krye të kësaj ministrie, ka thënë se emërimin e Vitisë e sheh si sigurim të qasjes së vazhdueshme në shëndetësi dhe beson se dështimi në këtë sektor do të vazhdojë.

“Ministri i Shëndetësisë nuk ndryshon. Qasja nuk ndryshon. Ndaj, dështimi e degradimi vazhdon. Zoti i ruajt mjekët e infermierët e mbetur në vend si dhe pacientët që kanë nevojë për shërim!’, ka shkruar Zemaj.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se me riemërimin e Vitisë si ministër të Shëndetësisë, LVV tregoi se është duk e vazhduar degradimin e shëndetësisë.

“Ajo çka mund të themi sot pas dorëheqjes është që definitivisht po vërehet që shëndetësia që ishte një prioritet i premtuar nga Kurti është shndërruar në një sektor të përplasjeve dhe pazareve politike, klienteliste dhe nepotiste të grupacioneve brenda Lëvizjes Vetëvendosje”, tha deputeti Haxhiu.

Riemërimi i Arben Vitisë në Shëndetësi vjen në një kohë kur QKUK po përballet me ikje të profesionistëve shëndetësor, të cilët kanë zgjedhur ta lënë atë për shkak të kushteve të rënda me të cilat po përballet ky institucion publik shëndetësor ndër vite./Sinjali.

/GazetaSinjali/