image Ministria e Mbrojtjes: Pjesëmarrja e FSK-së në misione paqeruajtëse po bën historinë më të re të Kosovës

Kosovë

Ministria e Mbrojtjes: Pjesëmarrja e FSK-së në misione paqeruajtëse po bën historinë më të re të Kosovës

news image

Në Kuvendin e Kosovës sonte është miratuar vendimi për dërgimin e kontigjentit të FSK-së në misione jashtë vendit, shkruan Gazeta Sinjali.

Me këtë vendim nënkuptohet që në bazë të ftesës së SHBA-së, kontigjenti i FSK-së do të dërgohet në misione jashtë vendit bashkë me Gardën Kombëtare të Iowës, pra Ushtrinë Amerikane.

Në një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se: “Pjesëmarrja e FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit po bën historinë më të re të Kosovës, duke konfirmuar se Kosova mbetet e përkushtuar për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë botërore”.

Njoftimi i plotë:

Kuvendi i Republikës së Kosovës miraton vendimin historik për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në mision paqeruajtës jashtë vendit në kuadër të ushtrisë amerikane

Ministria e Mbrojtjes si dikaster përgjegjës qeveritar për mbrojtje dhe siguri, ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe ligjore; ka bashkërenduar aktivitetet ndër-institucionale, ndër-shtetërore si dhe përmes rrugëve diplomatike, në mënyrë që të realizohet pjesëmarrja e FSK-së në misione paqeruajtëse ndërkombëtare, në kuadër të Ushtrisë Amerikane.

Përkushtimi i vazhdueshëm, profesionalizmi dhe integriteti i FSK-së, si vlerat më të larta demokratike, përveç se e radhisin FSK-në për të nëntën herë, si institucionin më të besueshëm nga qytetarët e Republikës së Kosovës; gjithashtu, kanë marrë edhe vëmendjen ndërkombëtare.

Pas shqyrtimit paraprak të këtij propozim-vendimi nga ana e Komisionit funksional për Çështjet e Sigurisë dhe të Mbrojtjes, Kuvendi i Republikës së Kosovës me 92 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, autorizon dërgimin e kontingjentit të FSK-së në misionet e mbështetjes për stabilitet rajonal dhe operacione paqeruajtëse në regjionin e Komandës Qendrore Amerikane – U.S. Central Command (USCENTCOM).

Sipas ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kontingjenti i FSK-së do t’i bashkohet Gardës Kombëtare të IOWAs, në misionin e parë paqeruajtës ndërkombëtar.

Në fjalën e tij, në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ministri i Mbrojtjes z Anton Quni, ndër të tjera theksoi: ”…është një momentum shumë i veçantë për Kosovën, që përveç një mundësie historike ku FSK radhitet përkrah SHBA-ve dhe partnerëve strategjikë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë në nivelin ndërkombëtar; njëkohësisht është sikur një reflektim që të shohim prapa dhe të shprehim falënderimin dhe mirënjohjen shumë të lartë për mbështetjen e pakursyer nga të gjithë partnerët tanë, të cilët arritën në Kosovë, 20 vjet përpara, me të njëjtin mision, për të vendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë”.

Pjesëmarrja e FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit po bën historinë më të re të Kosovës, duke konfirmuar se Kosova mbetet e përkushtuar për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë botërore, përkrah partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës; si dhe partnerëve dhe aleateve tjerë në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike.Urime FSK!Urime Kosovë!

/GazetaSinjali/