image Ministria e Drejtësisë propozon dy modele për konfiskimin e pasurisë joligjore

Siguri

Ministria e Drejtësisë propozon dy modele për konfiskimin e pasurisë joligjore

news image

Ministria e Drejtësisë dje e ka finalizuar dhe ka dorëzuar për procedim në qeveri koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke i hapur kështu rrugë hartimit të projektligjit.

Gazeta Sinjali e ka siguruar këtë koncept dokument, i cili propozon dy modele të konfiskimit civil prej të cilave Kosova mund të marrë inspirim gjatë hartimit të Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Mënyrë të Pajustifikueshme.

Modeli i parë i konfiskimit civil, i cili është propozuar në këtë koncept dokument, ka në shënjestër pasurinë me origjinë të paligjshme, model ky i njohur në zhargonin juridik si konfiskimi in rem.

Ky model parasheh se kërkesa për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të bëhet në rastet kur prokurori apo organet e tjera të autorizuara kanë dyshime se pasuria e personave të caktuar është fituar përmes veprimtarisë joligjore, edhe në rastet kur ndaj personave të tillë nuk ekziston një aktgjykim dënues.

Pra, sipas këtij modeli lejohet konfiskimi i pasurisë me origjinë joligjore edhe pse nuk është dëshmuar paraprakisht se është kryer vepra penale përmes së cilës është përfituar pasuria në fjalë.

Ky koncept dokument rekomandon që fushëveprimi i këtij modeli, në parim, të shtrihet mbi të gjithë qytetarët, pa kufizime në kategori të caktuara.

Modeli i dytë i konfiskimit civil, që sugjerohet në këtë koncept dokument, bën krahasimin e pasurisë aktuale të personave të caktuar me të ardhurat e deklaruara me qëllim të identifikimit të diskrepancës mes tyre.

Edhe për këtë model konfiskimi, vërtetimi se pasuria e pajustifikueshme është fituar përmes kryerjes së veprës penale nuk është i nevojshëm për t’i hapur rrugën konfiskimit civil./Gazeta Sinjali/