image Ministria e Drejtësisë: Koncept dokumenti i vettingut do të përfundojë në muajin gusht

Drejtësi

Ministria e Drejtësisë: Koncept dokumenti i vettingut do të përfundojë në muajin gusht

news image

Zyrtari i lartë në Ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni ka deklaruar se koncept dokumenti për reformat në drejtësi i cili njihet edhe si vettingu do të finalizohet në muajin gusht dhe pas finalizimit i njëjti do t’i dërgohet Qeverisë me të cilën hapet rruga për zhvillimin e reformave në drejtësi. 

Sipas tij, baza për krijimin e vettingut mund të bëhet qoftë përmes ndryshimeve ligjore apo edhe kushtetuese, raporton Sinjali.

“Ky koncept dokument do ta përcaktojë saktë formën dhe do të jap opsione sesi duhet të ndodhë Vettingu në Kosovë. Pastaj pas gushtit hapet rruga për zhvillimin e procesit të Vettingut. Jemi duke konsultuar edhe praktikat e ndryshme që kanë ndodhë në vendet që kanë filluar procesin e Vettingut dhe po besojmë që ky proces do të jetë një ndër më të mëdhatë reformuese që kanë ndodhë në Kosovën e pasluftës dhe do ta bëjë pastrimin e sistemit të drejtësisë”, ka thënë ai.

Nimoni thotë se Kosova ka mekanizma që bëjnë verifikim e performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, por që nuk kanë qenë aq funksionale deri më tani.

“Ne kemi disa mekanizma që kuadër të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të cilët bëjnë vlerësimin e performancës së gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe gjithashtu njëfarë verifikimi të integritetit që bëhet në faza të caktuara. Mirëpo nga themelimi i këtyre mekanizmave që nga viti 2014/15 këta mekanizma nuk kanë qenë aq funksional. Nëse shikojmë statistikat e vitit 2018/19 shohim se këto komisione për vlerësimin e përformancës me vlerësimet e tyre kanë konstatuar që në vitin 2018 është 94 për qind të prokurorëve dhe 100 për qind të gjyqtarëve që janë vlerësuar me mirë dhe shumë ,mirë, asnjë nga ta nuk është vlerësuar pamjaftueshëm”,  ka shtuar ai. /GazetaSinjali/