image Ministria e Dhurata Hoxhës blen 58 mijë euro inventar për zyre

Kosovë

Tender/ Ministria e Dhurata Hoxhës blen 58 mijë euro inventar për zyre

news image

Ministria e Integrimit Evropian më 14 gusht ka nënshkruar një kontratë me një kompani nga Podujeva për furnizim me inventar në vlerë prej 58 mijë eurosh, për nevoja të ministrisë.

Blerja e inventarit do të bëhet më këste. Kështu precizohet në kontratën e publikuar nga ministria e drejtuar nga Dhurata Hoxha, shkruan Sinjali.

Megjithëse procedura e këtij tenderi ka qenë e hapur, Ministria nuk ka dhënë informacione shtesë për inventarin që e kanë blerë.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 60 mijë euro.

Sinjali ka kontaktuar me kompaninë “Galanteria” nga Podujeva, e cila është angazhuar që ta furnizojë me inventar Ministrinë e Integrimit Evropian.

Menaxheri i kësaj kompanie ka treguar se do ta furnizojnë ministrinë me pajisje për zyre si tavolina dhe karrige.

Ministria në dosjen e tenderit kishte precizuar se afati kohor për dorëzimin e tenderëve të ishte i shkurtuar dhe jo sipas procedurave normale.

Në njoftimin për nënshkrimin e kontratës, shënohet se kanë qenë dy kompani që kanë aplikuar, ndërkaq thuhet se kompania nga Podujeva është zgjedhur për shkak të çmimit më të favorshëm.

Derisa të enjten pritet që të shpërndahet Kuvendi për të shkuar në zgjedhjet e parakohshme, nuk dihet se pse i duhet kaq shumë Ministrisë së Integrimit Evropian ky inventar. /Sinjali