image Ministria e Bujqësisë pagoi mbi 176 mijë euro për shërbime që mund t'i kryente vetë

Financa

Ministria e Bujqësisë pagoi mbi 176 mijë euro për shërbime që mund t’i kryente vetë

news image

Ministria e Bujqësisë kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 176 mijë e 199 euro me një operator ekonomik, për të kryer shërbime që mund të realizoheshin nga vetë Instituti Bujqësor i Kosovës që operon në kuadër të ministrisë.

Kështu thuhet në raportin vjetor të Zyrës Kombëtare të Auditimit, shkruan Gazeta Sinjali.

“Kontrata “Përkrahja e Fermerëve për analiza të tokës, trajnime, këshillime dhe rekomandime për rezultatin e analizave të tokës” ishte nënshkruar me datë 22.06.2018 në vlerë 176,199€ me një operator ekonomik, përkundër faktit që analizat e tilla mund të realizohen nga Instituti Bujqësor i Kosovës që operon në kuadër të ministrisë”, thuhet në këtë raport.

Sipas Auditorit, kjo kishte ndodhur për shkak të vendimit të gabuar të menaxhmentit të MBPZHR-së për kontraktimin e kryerjes së këtyre shërbimeve.

Në këtë raport thuhet se duhet të shfrytëzohen resurset njerëzore dhe teknologjike të cilat i posedon Instituti Bujqësor dhe lidhja e kontratave me operator ekonomik privat ndikon në shpenzimin e pa arsyeshëm të fondeve buxhetore.

Auditori rekomandon se ministri duhet të shqyrtojë arsyet dhe nevojën për prokurimin e shërbimeve të cilat ka pasur mundësi të kryhen në Institutin Bujqësor. /GazetaSinjali/