image Ministri Vitia: Nuk do të ketë lirim të masave

Shëndetësi

Ministri Vitia: Nuk do të ketë lirim të masave

news image

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se nuk do të ketë lirim të masave antiCOVID, në këtë situatë “të brishtë epidemiologjike”, në të cilën ndodhet vendi, raporton Gazeta Sinjali.

Në një konferencë për media, Vitia bëri të ditur se sot do të takohet me Komitetin për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19, me të cilin do të diskutohen masat.

“Më 13 shtator është afati i cili e kemi përcaktuar për masa në vendimin e fundit të qeverisë kur janë marrë këto masa, natyrisht në këtë kuadër dje dhe pardje kam pasur takime të shumta edhe me ministritë e linjës duke përfshirë në veçanti, Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe sot kemi edhe takimin e Komitetit për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës me COVID-19 ku do të diskutohen këto çështje në raport me masat.”

“Sipas situatës epidemiologjike momentale, nuk pritet që do të ketë lehtësim të masave, mirëpo natyrisht kjo do të jetë një përfundim pas takimit me Komitetin  dhe natyrisht pas këtij takimi me ekspertët e fushës dhe rekomandimet e IKSHPK. Nuk do të ketë lirim të masave në asnjë mënyrë derisa të kemi një situatë të brishtë”, ka theksuar ai para gazetarëve.

I pari i Shëndetësisë tha se ministria e udhëhequr nga ai ka hartuar planin për ngritjen e kapaciteteve spitalore, por që sipas tij, një gjë e tillë nuk do të jetë e nevojshme, bazuar në situatën me pandeminë në ditët e fundit.

“Duke i pasur parasysh rrethanat kemi hartuar planin për ngritje të kapaciteteve shtesë spitalore dhe fushore, nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme në bashkëpunim me shërbimet tjera që të inkuadrohen në rast të emergjencave shëndetësore, pavarësisht se bazuar në ditët e fundit besojmë thellë se kjo nuk do të jetë as e nevojshme”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/