Kryetari i Listës Serbe, që është edhe ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë Kurti II, Goran Rakiq, ka deklaruar se tensioni i situatës në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit të targave dëshmoi që formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i domosdoshëm për stabilitet.
Në një intervistë dhënë mediumit të quajtur “Kosovo Online” ai tha se në pikëpyetje është kredibiltieti i Bashkimit Evropian.
“Tani më shumë se asnjëherë besueshmëria e BE-së po testohet. Formimi i Asociacionit që ka pritur tetë vjet, është treguar më shumë se kurrë, se duhet bërë për të stabilizuar situatën dhe duhet zbatuar marrëveshja e Brukselit. Pa Asociacion nuk ka stabilitet dhe Bashkimi Evropian, si garantues i marrëveshjes, e ka konfirmuar sërish se është obligim i Prishtinës që ta formojë Asociacionin”, ka thënë Rakiq.
Rakiq falënderoi qytetarët serbë që protestuan, duke thënë se pa vendosmërinë e tyre s’do ta arrinin marrëveshjen për targa që u arrit në Bruksel të enjten./Gazeta Sinjali/