Dhjetë persona kanë humbur jetën dhe 44 të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00, në Slavonski Brod, në Kroaci, në të cilin ka qenë i përfshirë një autobus nga Kosova, raporton Gazeta Sinjali.
Ministri i Shëndetësisë në Kroaci, Vili Berosh, ka thënë se numri i të vdekurve deri në orën 17:00 është 10, si dhe ka shtuar se personat që ishin në kujdes intensiv janë në gjendje të qëndrueshme.
“Pacientët që ishin në rrezik për jetën në njësinë e kujdesit intensiv janë ende të qëndrueshëm. Gjendja e tyre shëndetësore nuk u përkeqësua”, tha Berosh, raporton HRT.
Ndërkaq një person i është nënshtruar një operacioni pasi pësoi një lëndim të rëndë trupor, por jo kërcënues për jetën.
Sipas ministrit bëhet fjalë për një frakturë të parakrahut.
“Dy të shtruar në spital në Nova Gradiska u liruan”, tha Berosh.
“Një person është pa lëndime, ndërsa tjetri u transferua në Klinikën për Traumatologji në Zagreb dhe nuk ka nevojë për operacion, është një dëmtim i shtyllës kurrizore”, tha ministri kroat.
Ai ka shtuar se ndihma e ambasadorëve dhe përkthyesve nga Kosova që i ndihmuan ata të kontaktonin me të lënduarit, ishte shumë e rëndësishme./ Gazeta Sinjali/