image Ministri i Vuçiqit kërcënon rajonin, reagon Presidenti i Malit të Zi: Serbia pranoi të largohej nga Kosova

Politikë

Ministri i Vuçiqit kërcënon rajonin, reagon Presidenti i Malit të Zi: Serbia pranoi të largohej nga Kosova

news image

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviq tha se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe duke kërcënuar me destabilizimin e rajonit.

“Ke bërë një gabim dhe do të të godasë në kokë, ashtu siç i godet në Ukrainë të gjithë ata që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur. Ju e keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është sui generis, se është një rast i veçantë, janë qesharake. As Albin Kurti dhe as Tirana nuk të besojnë në këtë”, tha Vuçeviq për TV Pink.

Ai është i mendimit se ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, duke theksuar se kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë, por edhe e fqinjëve të saj.

“A flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? A fleni të qetë? Ata mendojnë se janë në paktin e NATO-s dhe i kanë zgjidhur problemet e tyre me të. Kjo është mantra e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kur ata u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, pra aleancës së NATO-s, mendojnë se i kanë zgjidhur të gjitha problemet e tyre dhe se asgjë nuk mund t’u ndodhë”, tha Vuçeviq.

E këtyre deklaratave i ka reaguar Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, i cili tha se është e papranueshme çdo përpjekje për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose indirekt me aktorët e huaj (nga rajoni apo pjesa tjetër e botës) në krijimin e Qeverisë në Mal të Zi.

Milatoviq theksoi se mbledhja e 28-të e Kuvendit është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët sipas Kushtetutës janë bartës të sovranitetit.

“Pres që formimi i Qeverisë së 44-të të bazohet në vullnetin e shprehur lirshëm të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara parlamentare, si dhe në prioritetet programore që do të mundësojnë anëtarësimin e përshpejtuar të Malit të Zi në BE, rritjen e standardit jetësor dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës”, shkroi Milatoviq.

Përveç tij, pati edhe të tjera reagime nga figura të politikës malazeze.

Me kërcënimet se “Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të goditen në kokë nga njohja e Kosovës, siç ndodhi me Ukrainën”, ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe presidenti i SNS-së, Millosh Vuçeviq, po i bie daulleve të luftës dhe po e destabilizon rajonin, tha deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve nga Mali i Zi, Andrija Nikoliq.

“Vuçeviqi qëllimisht e anashkalon faktin që Serbia nënshkroi marrëveshjen në Kumanovë, e cila përfaqëson kapitullimin e regjimit të Millosheviqit gjatë kohës së luftës dhe se Millosheviqi pranoi që të gjitha, ushtria, paraushtarakët, policia, parapolicia dhe të gjitha formacionet e tjera të armatosura nga Serbia të largohen përgjithmonë nga Kosova”, tha zyrtari i DPS-së.

Së fundi, thotë ai, Vuçeviq mendon se publiku në Mal të Zi ka një “kujtesë të shkurtër”.

“Dhe të mos harrojë se me rezolutën 1244, Serbia pranoi të largohej nga Kosova, me të cilën hoqi integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës Federale të Jugosllavisë mbi Kosovën dhe vendosi procedurën për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Mali i Zi, si shtetet tjera, thjesht zyrtarisht e pranoi se cila ishte gjendja faktike në terren dhe se me një interes, Serbia dhe Kosova të ecin përpara”, theksoi Nikoliq.

/GazetaSinjali/