Ministri i Shëndetësisë Zlatibor Loncar, ka demantuar Vuçiqin duke thënë se Presidenti serb kishte probleme kronike të vogla të zemrës, por se gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua të premten, kur ai u dërgua në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd (VMA).
Loncar ka thënë për Tanjug se pas pranimit në VMA, Vuçiq ishte në rrezik për jetë.
Ndërsa në mesditën e djeshme ka folur këshilltarja e Vuçiqit, duke treguar që gjendja e Vuçiqit është stabile, dhe se do të mbahet në spital për kujdes shtesë.
E pas gjithë kësaj situate është lajmëruar vetë Vuçiq, duke thënë se është mirë e që nga e hëna do të kthehet në punë.
“Faleminderit mjekëve dhe stafit të Spitalit Ushtarak. Faleminderit për të gjithë ata që u kujdesën. Do të jem në punë me orar të plotë duke filluar nga e hëna”, ka thënë Vuçiq.
Raporohet se ekipet mjekësore menjëherë zbatuan të gjitha masat e nevojshme për të korrigjuar gjendjen e rëndë, dhe sipas Ministrit Loncar, Vuçiq iu përgjigj mirë terapisë së përshkruar atij.
Sidoqoftë, ekipet e ekspertëve të VMA rekomanduan që Presidenti i Serbisë të zvogëlojë aktivitetet e tij të rregullta në periudhën e ardhshme në mënyrë që të shërohet plotësisht nga gjendja shëndetësore e përkeqësuar që ndodhi të premten. /Gazeta Sinjali/