image Kryediplomati gjerman reagon për aksidentin tragjik në Kroaci

Evropë

Kryediplomati gjerman reagon për aksidentin tragjik në Kroaci

news image

Ministri i Jashtëm, Heiko Maas ka bërë një reagim lidhur me aksidentin e autobusit të linjës Frankfurt – Prishtinë në Kroaci ku kanë humbur jetën 10 persona mëngjesin e së dielës.

Ai ka thënë se ekipet e ministrisë që drejton janë në kontakt me Kosovën dhe Kroacinë për të ndihmuar të mbijetuarit dhe se në mesin e të vdekurve është edhe një gjerman.

“Së bashku me shokët tanë në Kosovë dhe Kroaci ne mbajmë zi për viktimat e aksidentit të tmerrshëm të autobusit. Ekipet tona janë në kontakt të ngushtë për të ndihmuar të mbijetuarit. Ne tani kemi edhe sigurinë e trishtuar se në mesin e të vdekurve është edhe një shtetas gjerman”, ka shkruar ministri Maas.

Policia kroate ka njoftuar se të dielën në orën 6:19 të mëngjesit pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.

“Gjatë hetimit, në prani të avokatit të shtetit, policia përcaktoi se aksidenti i trafikut ndodhi në atë mënyrë që një shtetas 52-vjeçar i Kosovës po voziste një autobus me dokumente dhe targa regjistrimi të Kosovës në korsinë jugore e A3 Bregana-Arruga nga perëndimi në lindje. Duke arritur në kilometrin e 211 të autostradës, shoferi nuk lëvizi në mes të korsisë së shënuar, por drejtoi automjetin në zonën me bar, dhe më pas autobusi u përmbys në anën e tij. Anëtarët e brigadave të zjarrfikësve dhe ekipet tjera emergjente ndërhynë në vendin e ngjarjes për t’i marrë trupat e të aksidentuarve”, thuhet në deklaratë.

Në këtë aksident tragjik, 10 persona humbën jetën, 15 të tjerë u lënduan rëndë, ndërsa 30 më lehtë. Të lënduarit u transportuan në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po mbahen për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Ndërkaq sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë para aksidentit kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka ndërruar jetë./GazetaSinjali/