image Ministri Çeku dërgon në prokurori disa kontrata të investimeve - Sinjali

Ministri Çeku dërgon në prokurori disa kontrata të investimeve

news image

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike është shqyrtuar raporti i auditimit të performancës “Menaxhimi i kontratave publike të ndërtimit”, raporton Gazeta Sinjali.

Në këtë Komision është thënë se nga 100 milionë euro të zotuara, rreth 60 milionë euro janë shpenzuar për investime kapitale arsimore, kulturore dhe sportive.

Për këtë çështje kanë raportuar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Harullah Çeku, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, deklaroi se për këto investime ata kanë bërë një skanim ku edhe kanë gjetur shkelje të cilat janë kryer nga qeveritë e kaluara, të cilat i janë adresuar prokurorisë.

Ai tha se për një projekt kanë nisur hetimet nga ana e prokurorisë, mirëpo nuk e bëri të qartë se në cilën fazë janë këto hetime.

“Për disa parregullsi që ka dyshime kemi adresuar në prokurori për vepra penale dhe çdo herë që hasim në këso lloj shkeljesh gjatë skanimit të gjendjes do të veprojmë kështu”, tha ai.

Një sfidë tjetër sipas tij, është numri i madh i memorandumeve të bashkëpunimit me komunat që janë arritur vite më parë, në të cilat ai tha se kanë mangësi.

Madje, ai para deputetëve bëri të ditur se 34 projekte të nisura për investime do të ndalen për shkak të mos përfshirjes në buxhet.

“Një problem i madh është edhe nënshkrimi i kontratave për projektet kapitale pa mbulesë financiare. 34 projekte aktive të gjitha kanë probleme për mungesë të buxhetit të planifikuar. Sipas të gjitha gjasave ne do të detyrohemi me i anuluar këto projekte”, theksoi Çeku./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin