Ministrat e Mbrojtjes të shtatë vendeve më të industrializuara të botës, G7, mbështesin “rrugën e pakthyeshme të Ukrainës drejt integrimeve të plota euro-atlantike, përfshirë anëtarësimin në NATO”, thuhet në një deklaratë të publikuar të shtunën.
“Ne theksojmë qëllimin tonë për të vazhduar ndihmat për Ukrainën, përfshirë ndihmën ushtarake afatshkurtër dhe afatgjatë” në konfliktin e saj me Rusinë, thanë ministrat e vendeve të G7 gjatë takimit të tyre në Napoli të Italisë.
Në grupin e shtatë demokracive më të industrializuara përfshihen Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia. Në bisedimet në Napoli morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, NATO-s si dhe Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës.
Ministri i Mbrojtjes i Italisë, vendi i të cilit mban kryesinë e G7 për vitin 2024, Guido Crosetto, tha se një nga pikat më të forta të takimit në Napoli ishte mbështetja e fortë për Ukrainën, e cila po lufton për të mbrojtur sovranitetin e saj nga agresioni rus.
“Ne dënojmë pa rezerva agresionin e Moskës, e cila ka zgjedhur të përdor forcën kundër një shteti sovran dhe metodat e një lufte hibride si dhe një retorikë bërthamore të papërgjegjshme”, tha Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto.
Deklarata përfundimtare e lexuar nga shefi i mbrojtjes italiane, theksoi gjithashtu “mbështetjen e fortë për Ukrainën” ndërsa shprehu shqetësimin për “intensifikimin e bashkëpunimit ushtarak midis Kinës dhe Rusisë”, si dhe zhvillimin e programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Ky është rasti i parë në historinë e G7 që takimi i kushtohet çështjeve të mbrojtjes në një program të nivelit ministror.