image Ministrat e Mbrojtjes në Tiranë, Maqedonci: Politikat e Serbisë që synojnë destabilizimin e Kosovës

Politikë

Ministrat e Mbrojtjes në Tiranë, Maqedonci: Politikat e Serbisë që synojnë destabilizimin e Kosovës

news image

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedoni po merr pjesë në takimin ministerial të Iniciativës ShBA – Karta e Adriatikut (A5), që po zhvillohet në Tiranë, për ta përafruar Kosovën drejt anëtarësimit të plotë në këtë iniciativë.

Me anë të një postimi në Facebook, ai thotë se në këtë takim, ai ngriti shqetësimin e tij rreth sulmit që ndodhi me 29 nëntor në Ibër-Lepenc si dhe mos marrjen e përgjegjësisë të atyre që urdhëruan dhe kryen sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Ky është postimi i plotë i Maqedoncit:

Në takimin ministerial të Iniciativës ShBA – Karta e Adriatikut (A5), që po zhvillohet në Tiranë, për ta përafruar Kosovën drejt anëtarësimit të plotë në këtë iniciativë.

I ftuar nga homologu im shqiptar, Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, z. Pirro Vengu, sot iu drejtova kolegëve nga shtetet e rajonit, për të ritheksuar para tyre gatishmërinë e plotë dhe aspiratën e fuqishme të shtetit të Kosovës për tu bërë shtet anëtarë me të drejta të plota në këtë iniciativë. Tutje në adresimin tim në këtë rast, ngrita sërish çështjen e qasjes hegjemoniste dhe shovene të Serbisë karshi Kosovës dhe refuzimin e saj për të marrë përgjegjësitë e kërkuara ndaj sulmit dhe agresionit të 24 shtatorit 2023 në Banjë, duke mos bashkëpunuar për nxjerrjen e të përfshirëve para drejtësisë.

Politikat e Serbisë, që synojnë destabilizimin e sigurisë në Kosovë, rezultat i të cilave ishte edhe sulmi terrorist i 29 nëntorit ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit”, cënojnë sigurinë përtej Kosovës në nivel rajonal, duke shkaktuar një ambient pasigurie nga kërcënimet e tilla që minojnë paqen në rajon dhe çfarëdo përpjekje për fqinjësi të mirë në Ballkanin Perëndimor.

Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe tashmë është e gatshme për të marrë përgjegjësi të plota dhe për të dhënë kontributin e saj si anëtarë e plotë e Iniciativës ShBA – Karta e Adriatikut (A5). Nuk ka asnjë forcë sado agresive në politika dhe brutale në veprime, që mund ta ndaloj rrugën e integrimeve euro-atlantike të Kosovës.

Për mbrojtjen e sigurisë nacionale, për paqe rajonale dhe për integrime euro-atlantike!

/GazetaSinjali/