image Minatorët në grevë që 8 ditë, Rizvanolli s’raporton në komision - përplasen pozitë e opozitë

Politikë

Minatorët në grevë që 8 ditë, Rizvanolli s’raporton në komision – përplasen pozitë e opozitë

news image

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk ka raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrjen “Trepça”.

Rizvanolli është arsyetuar se ka udhëtuar jashtë vendit, teksa Mimoza Kusari-Lila nga VV ka propozuar që të kenë një takim me përfaqësuesit e sindikatës.

Por kryetari i Komisionit, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se në rend të ditës e kanë raportimin e ministres dhe se ajo nuk ka pranuar që të jetë pjesë në këtë mbledhje, duke thënë se është në udhëtim zyrtar.

Shala ka thënë se kërkesa ka qenë fillimisht të dëgjojmë ministren dhe ajo të iu tregojë se pse minatorëve po u vonohen pagat, pse nuk u po paguhet trusti, pse po suspendohen sindikalistët.

Por Kusari-Lila ka kërkuar që të dëgjohen sindikalistët pasi sipas saj, jo të gjitha kërkesat e tyre janë të ligjshme.

Shala e ka quajtur Kusari-Lilën zëdhënëse të Qeverisë, duke thënë se këto kanë dashur t’i dëgjojmë nga ministrja.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se ministrja edhe sikur të ishte jashtë vendit do të duhej të ndërpriste vizitën dhe të vinte dhe t’i takonte minatorët, raporton EO.

Kurse deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka akuzuar deputetët e VV-së se po tentojnë të përçajnë sindikatën pasi sipas saj nuk është njoftuar komisioni.

Minatorët e Trepçës ka tetë ditë që janë futur në grevë ndërkohë kërkesat e tyre vazhdojnë të mos përfillen nga Qeveria e Kosovës. Vetëm në 24 orët e fundit mbi 30 minatorë grevistë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

/GazetaSinjali/