image Minatorët e “Trepçës” vazhdojnë grevën, iu del gjysma e rrogës së qershorit

Kosovë

Minatorët e “Trepçës” vazhdojnë grevën, iu del gjysma e rrogës së qershorit

news image

Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” kanë hyrë në grevë sot. 300 punëtorë të ndërrimit të parë kanë mbajtur grevë, ndërkohë që po vazhdon edhe ndërrimi i dytë.

Kreu i sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi, tha se greva ka nisur për shkak se atyre nuk u ka dalë paga e muajit qershor.

Ai thotë se pasi ka nisur greva, kanë kuptuar se iu ka dalë gjysma e rrogës së qershorit.

“Greva ka filluar nga vetë punëtorët, por edhe Sindikata i përkrah kërkesat e tyre si kërkesa legjitime dhe të pamohueshme. Tani jemi në ndërrimin e dytë. Në bazë të informacioneve që kemi, tani është realizuar paga me 50 për qind. Jemi në pritje të punëtorëve se çfarë vendimi do të marrin ata”, tha Jonuzi.

Sipas tij, përveç mosrealizimit të pagës, punëtorët kanë edhe pakënaqësi të tjera për të mbajtur grevë.

“Pas komunikimit me punëtorët, ata kanë pasur edhe arsye të tjera sikurse mungesa e kushteve elementare, sigurimi shëndetësor, borxhi i madh ndaj punëtorëve në Trustin Pensional”, tha Jonuzi.

Sipas Januzit, menaxhmenti i kombinatit ka arsyetuar mosekzekutimin e pagave me mungesën e mjeteve financiare. Po ashtu, sipas Januzit, menaxhmenti po ankohet se nuk ka prodhim të mjaftueshëm, por sindikata, sipas tij, vlerëson se ka keqmenaxhim të kombinatit dhe mungesa e investimeve.

Pagat e punëtorëve në “Trepçë” sillen nga 600 deri në 800 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Por, asnjë prej punëtorëve nuk ka sigurim shëndetësor apo jetësor.

/GazetaSinjali/