image Edhe 150 minatorë të Trepçës ngujohen në minierë, kërkojnë pagat e tetorit

Kosovë

Edhe 150 minatorë të Trepçës ngujohen në minierë, kërkojnë pagat e tetorit

news image

Mbrëmë mbi 80 minatorë të ndërrimit të dytë janë ngujuar në horizontin e 10-të të Minierës së “Trepçës” në Stantërg, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndërsa sot atyre iu janë bashkuar edhe mbi 150 minatorë të ndërrimit të parë e të cilët do të qëndrojnë të ngujuar aty derisa të marrin pagat e muajit tetor.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar sekretari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Esat Meha.

Meha u shpreh se deri më tani janë ngujuar më shumë se 200 minatorë dhe sipas tij asnjë nga punëtorët e kësaj ndërmarrje nuk do të punojë deri sa të ekzekutohen pagat e tetorit.

“Po deri më tani janë të ngujuar rreth 200 minatorë, pasi vetëm sot i janë bashkuar edhe punëtorët e ndërrimit të parë. Jemi në pritje për përgjigje nga ana e qeverisë pasi deri më tani nuk është marrë asgjë konkrete”, tha ai.

Meha gjithashtu theksoi se minatorët kanë vetëm një kërkesë dhe ajo është për paga, duke shtuar se ai beson në këtë Qeveri dhe se kjo e fundit do t’i dalë në ndihmë.

“Ne kemi vetëm një kërkesë, të ekzekutohen pagat dhe të ia fillojmë punës. Ne kemi besim dhe gjithmonë kemi besuar se Qeveria e Kosovës do të na dalë në ndihmë, ne shpresojmë që sa më shpejt të ketë diçka konkrete nga ana e tyre, pasi shumë punëtorë janë duke pritur për rrogat e tyre dhe kjo nuk është e drejtë”, shtoi tutje ai.

Ndryshe, të premten e kaluar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, zëvendësministrin e Financave, Agim Krasniqi si dhe përfaqësuesit e Bordit të Përkohshëm të “Trepçës”, mbajti një konferencë për media, në të cilën bëri të ditur ndarjen e 1.1 milion eurove për ndërmarrjen “Trepça”. /Gazeta Sinjali/