image Minatorët e Trepçës futen në ditën e gjashtë të grevës: Kërkojnë garanci për realizimin e kërkesave

Kosovë

Minatorët e Trepçës futen në ditën e gjashtë të grevës: Kërkojnë garanci për realizimin e kërkesave

news image

Sot është dita e gjashtë prej kur minatorët e minierës “Trepça” kanë hyrë në grevë. Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë, por edhe sigurimin e kushteve të punës – teksa gjendja e tyre brenda minierës vazhdon të jetë e rëndë.

Minatorët e Minierës së Trepçës kanë akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka shpërndarë informacione të pavërteta dhe propaganduese, kur ka thënë se paga mesatare e minatorëve është 1254 euro.

Në një reagim të publikuar të premten në mbrëmje, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka thënë se paga mesatare është 700-750 euro.

“Me datën 27.10.2023 Ministria e Ekonomisë së Republikës së Kosovës ka bërë publikimin e një lajmi kinse paga e minatorëve në minierën Trepça ka vlerën prej 1254 euro. Lajm i cili është shpërndarë në rrjete sociale dhe mediat elektronike. Me anë të këtij postimi e demantojmë fuqishëm një informacion të tillë të pavërtetë dhe propagandues. Publikimi i një lajmi të tillë qëllimin e vetëm e ka dezinformimin e opinionit publik dhe krijimin e një klime negative lidhur me grevën të cilën jemi duke e mbajtur si minatorë. Si formë e përshtatshme për ta humbur ndikimin dhe rëndësinë e grevës në opinionin publik”, thuhet në reagim.

Ndërkohë Ibrahim Jonuzi, kryetari i Sindikatës së Minatorëve tha se kërkojë garanci me shkrim për kërkesat e tyre.

“Po kërkesa jonë është që duhet ta kemi një siguri, duhet ta kemi një marrëveshje me shkrim dhe nuk kërkojmë asgjë më shumë, vetëm kërkesat tona ti përpilojmë me anë të një shkrese, me anë të një vendimi i cili na jep një lloj garancie që ne duhet të bazohemi në të ardhmen”, ka theksuar

Jonuzi tha se gjendja e e minatorëve është e rënduar dhe se për pesë ditë 24 persona kanë kërkuar ndihmë.

“Gjendja është shumë e rënduar. Dita e pestë e grevës dhe ka 24 persona që po kërkojnë ndihmë. Jo, me kryeshefin dhe bordin s’kemi pasur kontakt, por kemi zhvilluar një takim me të deleguarit nga qeveria”.

Jonuzi bëri të ditur se politikanë të ndryshëm kanë dashur t’i vizitojnë minatorët grevistë, por s’i kanë lejuar që të hyjnë pasi s’kanë dashur që grevës t’i japin konotacion politik.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Pagat e punëtorëve në “Trepçë” sillen nga 600 deri në 800 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Por, asnjë prej punëtorëve nuk ka sigurim shëndetësor apo jetësor.

“Trepça” është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje. “Trepça” pritet që t’i kalojë nën pronësi Fondit Sovran, që sipas Qeverisë së Kosovës, do të ketë përgjegjësinë ekskluzive për të investuar në rritjen e vlerës së tyre.

/GazetaSinjali/