image Militanti i LVV-së po nxitë djegien e parlamentit me benzinë, reagon Policia e Kosovës

Siguri

Militanti i LVV-së po nxitë djegien e parlamentit me benzinë, reagon Policia e Kosovës

news image

Policia e Kosovës ka nisur mbledhjen e informacioneve për Dardan Hotin, militantin e Lëvizjes Vetëvendosje i cili ka nxitur djegien e Kuvendit të Kosovës me benzinë, raporton Gazeta Sinjali. 

Dardan Hoti, i cili sipas të dhënave në Facebook jeton në Islandë, ka shkruar se çdo qytetar duhet të futet në Kuvend dhe të fle aty, derisa ka shtuar se secili protestues duhet të marr me vete 10 litra benzinë dhe shkrepsë.

Për këtë nxitje të frikshme, Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Sinjali ka thënë se po mbledhin informacione dhe se militanti i LVV-së do të ndiqet sipas ligjit.

“Policia e Kosovës është duke grumbulluar informacione lidhur me këtë çështje dhe natyrisht sipas informacioneve në posedim, në konsultim me autoritetet kompetente të drejtësisë do të ndermerren veprime adekuate sipas ligjit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Këto kërcënime kanë ardhur pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e shpalli kushtetues dekretin e presidentit për mandatarit për formimin e qeverisë së re.

“Populli i Kosovës duhet të futet në Parlament deri në zgjedhjet e reja. Merrni bukë me vete, nga një jorgan dhe flini brenda në Parlament”, ka shkruar ai…Çdo protestues të marrë me vete dorëza, maska dhe një çantë me 10 litra benzinë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, parlamenti është në duart e popullit, andaj thotë se protestuesit duhet të futen brenda çdo ditë. 

Aktivisti në profilin e tij ka shpërndarë disa postime, ku shkruan se “Qentë nuk largohen nga mishi, pa ia treguar forcën. A e dini që ka shi dhe breshër. Nuk duhet kriminelin, hajdutin, mashtruesin ta ushqesh me shi, por duhet me breshër”.

Këto nuk janë kërcënimet e vetme të mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë filluar edhe organizimin e një proteste “gjithëpopullore”, e planifikuar të mbahet më 5 qershor. Disa prej tyre më herët i kanë kërcënuar edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetaren e saj, Arta Rama-Hajrizin, ndërsa partia e Albin Kurtit ka thënë se po presin aktgjykimin e plotë për të vendosur pastaj për veprimet që do t’i ndërmarrin. /Gazeta Sinjali/