image “Milionat e shpenzuar për naftë” – Bajrami i reagon Muratit, e akuzon për kapje të Zyrës Kombëtare të Auditimit

Politikë

“Milionat e shpenzuar për naftë” – Bajrami i reagon Muratit, e akuzon për kapje të Zyrës Kombëtare të Auditimit

news image

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me raportin e korrigjuar të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2023 – i cili më herët potenconte se ishin shpenzuar mbi 31 milionë euro vetëm për karburante për një vit kalendarik nga Qeveria dhe institucione të tjera.

Deputetja e LDK-së ka publikuar dokumentin, ku ka thënë se Raporti i Auditimit për vitin 2023 është korrigjuar, teksa ka theksuar se qeveria, veç manipulimeve, tani është bërë edhe e parashikueshme.

Më tej Bajrami ka shtuar se një orë para se të pranohej shkresa me vendimin dhe raportin e korrigjuar të auditimit, kishte paralajmëruar se drejtuesja e ZKA-së, e cila, sipas saj, është motra e këshilltares së kryeministrit, mund të dalë në mbrojtje të qeverisë.

“Le që manipulues por tani edhe të parashikushëm

Sakt para një orë këtu në fcb e thashë:

‘Po ua rikujtoj se në krye të Zyrës Kombëtare të Auditorit e keni një zonjë që është motra e Këshilltares së Kryeministrit dhe nuk befasohem nëse ajo del edhe kundër raportit të saj e ju mbron juve’.

Sapo i pranove në e-mail shkresën, vendimin dhe Raportin e Auditimit për vitin 2023, të korrigjuar”, ka shkruar Bajrami.

Sipas Bajramit, raporti ishte në dorën e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe ekipit të tij gjatë fazës së draftimit, por nuk u vunë re gabimet atëherë. Deputetja shprehu shqetësimin se modifikimi i raporteve dy muaj pas publikimit është një dëshmi e ndërhyrjes në institucionet e pavarura.

“Për informatën e të gjithëve këtë raport e ka pasë si draft Hekuran Murati dhe krejt ekipi i tij, atëherë nuk i kanë vrejtë gabimet.

Sot, më shumë se kurrë duhet të ngritemi kundër kapjes së institucioneve të pavarura. Nëse këta arrijnë me i modifiku raportet e ZKA-së, dy muaj pas publikimit, mundemi me marrë me mend se çka janë në gjendje të bëjnë me raportet që i shkruajnë vetë, siç është ai i shpenzimeve vjetore”, ka shtuar Bajrami.

Ky reagim i Bajramit është në vazhdën e një debati më të gjerë mes saj dhe Muratit.

Pak më parë, Bajrami kishte kritikuar Muratin për menaxhimin e financave publike, duke e akuzuar atë se po e çon vendin në një krizë financiare për shkak të vendimeve të tij të dobëta. Në përgjigje, Murati kishte mbrojtur punën e tij dhe të ekipit të tij, duke pretenduar se auditimi i ZKA-së tregon përkushtimin për transparencë dhe përgjegjshmëri financiare.

/GazetaSinjali/