Sipas një mikrobiologu skocez, qeveritë po fshihen pas shkencës në rast se gjërat shkojnë keq dhe bilanci i viktimave nga koronavirusi rritet ndjeshëm pas lehtësimit të masave.
Profesori Hugh Pennington, mikrobiolog në Universitetin e Aberdinit, tha për “Sunday Express” se “politikanët thonë se po ndjekim shkencën sa herë që pyeten për menaxhimin e krizës Covid-19, në mënyrë që të heqin fajin nga vetja nëse diçka shkon keq”.
Profesori skocez, i cili ka qenë pjesë e ekipit që në vitet ’60 zbuloi koronavirusin e parë, theksoi: “Të thuash “po ndjekim shkencën” nuk ka kuptim, pasi ekspertët kanë dhënë këshilla kontradiktore për mënyrën e menaxhimit të pandemisë. Në një farë mënyre, politikanët po fshihen pas shkencës sepse nuk duan të marrin përgjegjësi nëse diçka shkon keq”. /Gazeta Sinjali/