image Mijëra euro investime shkojnë për "lesh" në Ministrinë e Administratës Publike

Kosovë

E-Kutia/ Mijëra euro investime shkojnë për “lesh” në Ministrinë e Administratës Publike

news image

E-Kutia, projekti për adresimin e ankesave të qytetarëve është bërë vetë për ankesë  

Projekti elektronik për ankesa të qytetarëve rreth shërbimeve administrative që u ofrohen nga institucionet e Kosovës, ka ngecur në funksionimin praktik.

E-Kutia, që ishte lansuar në janar të vitit 2017, në shumë vende ku ishte instaluar, gjendet jashtë sistemit.

Në interesimin e Sinjalit rreth kësaj çështjeje, Ministria e Administratës Publike si bartëse e këtij projekti, ka njoftuar se mungesa e mirëmbajtjes është arsye për mosfunksionimin e plotë të platformës për matjen e opinionit të qytetarëve.  

 “Kontrata për mirëmbajtje ka përfunduar në fund të vitit të kaluar. Ky proces ka qenë dy herë në fazë të tenderimit por ka dështuar në mungesë të interesimit të kompanive” ka thënë për Sinjalin, drejtori i drejtorisë për racionalizim të proceseve administrative në këtë ministri, Burim Balaj.

Ai shtoi se ministria kishte ofertuar me një shumë prej rreth 10 mijë eurosh për mirëmbajtje të sistemit, por kjo nuk kishte joshur kompanitë për aplikim. Balaj theksoi se gjatë këtyre ditëve, Ministria pritet sërish ta hap tenderin dhe se po e shqyrton mundësinë për rritjen e çmimit të ofertës, me qëllim që ky shërbim të jetë në funksion të plotë.    

Projekti e- Kutia ka kushtuar rreth 80,000.00 euro dhe është financuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP). Në kuadër të tij, janë vendosur 61 pajisje të e-Kutisë në 35 institucione të nivelit qendror dhe lokal, si ministri, agjenci të ndryshme e komuna. Në sistemin e këtyre e-kutive janë instaluar 600 shërbime ndaj të cilave qytetarët mund t`i japin opinionet e tyre.

“Në përgjithësi opinioni i qytetarëve është mirë, po ka shërbime të caktuara ku ka nevojë për përmirësime”, thekson Balaj.

Por, përkundër këtyre pohimeve, zyrtarët e ministrisë së Administratës Publike, për dy vjet e gjysmë ende nuk i kanë bërë publike të dhënat rreth kënaqshmerisë së qytetarëve me shërbimet administrative. Ankesat e tyre kanë mbetur enigmë për opinionin publik. Madje, për këtë ministri, ky sistem elektronik del të jetë jo shumë i besueshëm, pavarësisht se janë shpenzuar mijëra euro. Zyrtarët e saj  thonë se krahas sistemit elektronik planifikojnë ta realizojnë edhe anketë përmes formës klasike të intervistimit.

“Në kuadër të Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike kemi paraparë edhe format tjera për vlerësimin e shërbimeve nga qytetarët, në bashkëpunim me Projektin e Bashkimit Evropian (IPA II) jemi duke realizuar “Anketën” si formën më të besueshme për vlerësimin e shërbimit nga qytetarët. Në raportin final do të përfshihen edhe vlerësimet e bëra përmes e-Kutisë, ku përmes sistemit SPSS do të bëhet edhe një krahasim mes këtyre dy llojeve të vlerësimit”, ka thënë  Balaj.

Mos publikimi i statistikave për gati tri vjet dhe fotot që Sinjali disponon nga vendi i ngjarjes provojnë të kundërten. E-kutitë në pikat kyçe nuk funksionojnë edhe përkundër derdhjes së mijëra eurove donacione nga UNDP për Strategjinë për Modernizimin e Administratës Publike. Veç kësaj,  Ministria e Administratës Publike pritet të thithë fonde tjera nga BE-ja për të njëjtin qëllim, matjen e kënaqshmërisë së qytetarëve rreth shërbimeve administrative. /Sinjali/