Studioja e Xbox, The Initiative, është në fazën e mbylljes pas vendimit të Microsoft për të ndërprerë zhvillimin e video-lojërave “Perfect Dark” dhe “Everwild”. Kjo është pjesë e një vale shkurtimesh që po përfshin gjigantin teknologjik, duke ndikuar në rreth 4% të forcës globale të punës, shkruan Gazeta Sinjali.
Shefi i Xbox Game Studios, Matt Booty, tha se përveç mbylljes së The Initiative, janë anuluar edhe disa projekte të tjera të paprezantuara. “Ne kemi vendosur të ndalojmë zhvillimin e video-lojërave ‘Perfect Dark’ dhe ‘Everwild’… dhe si pjesë e kësaj, po mbyllim studion The Initiative,” deklaroi ai.
“Perfect Dark” ishte projekti i parë i studios The Initiative dhe po zhvillohej në bashkëpunim me Crystal Dynamics. Loja u prezantua me gameplay në vitin 2024, por nuk do të shohë dritën e publikimit.
Ndërkohë, edhe video-loja “Everwild” nga Rare, e cila u prezantua në vitin 2019 dhe pati rifillim të zhvillimit në 2021, është anuluar.
Përveç këtyre, edhe studio të tjera si Raven (që qëndron pas “Call of Duty”) dhe Turn 10 (“Forza Motorsport”) janë prekur nga shkarkimet, me këtë të fundit që mund të humbasë deri në 50% të stafit. Situata po konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha për sektorin e lojërave brenda Microsoft.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!