“Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk është kundër. Kjo është një temë artificiale. Është një temë që po mundohen ta imponojnë”.
Kështu deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke folur për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe për ligjin për gjuhët.
Ai theksoi se gjuha shqipe nuk po rrezikohet në këtë shtet.
“Më besoni, këtu nuk bëhet fjalë për shqetësim, askush nuk është kundër gjuhës shqipe, përkundrazi ja unë jam kryetar i Qeverisë, askush nuk është kundër, as në Maqedoni, kjo është një temë artificiale. Kjo nuk është temë e cila dikujt i pengon ose nuk I pengon, kjo është një temë që po mundohen ta imponojnë po këto hije nga e kaluara se nuk kanë temë tjetër, më besoni”, deklaroi Mickoski për RTK.
Tutje ai tha se ‘Ligji për Gjuhët’ për pesë vite ka qëndruar në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe pikërisht tani në qeverisjen e tij kjo temë po kthehet në rend dite.