Tetë persona, përfshirë gjashtë fëmijë, u gjetën të pajetë brenda një banese në shtetin amerikan të Michiganit, pasi ekipet e emergjencës ndërhynë për të shuar një zjarr në shtëpi. Sipas autoriteteve, disa prej viktimave kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Kapiteni i Zyrës së Sherifit të Qarkut Ottawa, Jake Sparks, e cilësoi ngjarjen si “jashtëzakonisht të ndërlikuar”, duke theksuar se hetimet janë ende në fazën fillestare, raporton ABC News.
Ngjarja ndodhi të premten në Grand Haven Township, një zonë pranë brigjeve të Liqenit Michigan, në perëndim të qytetit Grand Rapids.
Sipas autoriteteve, zjarrfikësit u thirrën fillimisht në mëngjes pas raportimeve për erë tymi, por nuk arritën të lokalizonin burimin e zjarrit. Disa orë më vonë, pas njoftimeve për tym të bardhë që dilte nga një banesë, ekipet u rikthyen në vendngjarje dhe hynë në shtëpi për të shuar flakët. Gjatë ndërhyrjes, ata zbuluan trupat e pajetë të tetë personave.
Mes viktimave janë gjashtë fëmijë, të moshës nga 5 deri në 15 vjeç, si dhe dy të rritur. Autoritetet besojnë se të gjithë viktimat janë pjesëtarë të së njëjtës familje, ndërsa identifikimi i plotë i tyre ende nuk ka përfunduar.
Hetuesit kanë konfirmuar se disa nga viktimat kishin plagë nga armë zjarri, por ende nuk është përcaktuar se sa persona janë qëlluar. Shkaqet e sakta të vdekjes pritet të sqarohen pas autopsive.
Autoritetet po hetojnë mundësinë që zjarri të jetë vendosur qëllimisht dhe se bëhet fjalë për një rast të mundshëm vrasje-vetëvrasjeje.