image Mësimi në pandemi, miliona nxënës në Evropë e botë sot u rikthyen në bankat e shkollës

Botë

Mësimi në pandemi, miliona nxënës në Evropë e botë sot u rikthyen në bankat e shkollës

news image

Një vit i ri shkollor, krejt i ndryshëm nga të tjerët, nisi mëngjesin e sotëm në shumë shtete evropiane. 12.4 milionë nxënës në Francë iu drejtuan bankave të shkollës pas pushimeve të gjata verore. Presidenti Emmanuel Macron tha se sfidat janë të panumërta, por ai u bëri thirrje të gjithëve të tregojnë të njëjtën përgjegjësi si në muajt paraardhës.

“Mos kini frikë!”, ishte mesazhi që u përcolli prindërve ministri i Arsimit, Jean-Michel Blanquer. Franca regjistroi 3082 raste të reja me koronavirus të hënën, një rënie e ndjeshme krahasuar me javën e kaluar kur pati deri mbi 5 mijë infektime ditore.

Italia nis të hënën me kurset e prapambetura, testi i parë pas izolimit. Por prova e vërtetë do të jetë më 14 shtator kur do të bien zyrtarisht zilet në gati të gjitha shkollat. Nxënësit do të qëndrojnë të paktën 1 metër larg njëri-tjetrit dhe do të mbajnë maskë nëse ruajtja e distancës nuk do të jetë e mundur.

Kapaciteti i transportit publik është rritur me 80 për qind për t’ua mundësuar nxënësve rikthimin në shkolla. Në Belgjikë, mbi 1.2 milionë nxënës iu rikthyen bankave, me rregulla që ndalojnë ndryshimet e klasave mes leksioneve e kërkojnë ajrosje të rregullt të ambienteve dhe mbajtjen e maskave edhe gjatë mësimit.

1 shtatori është tradicionalisht dita e parë e shkollës edhe në Rusi, e ky vit nuk bëri ndryshim. Por festimet e përvitshme u shmangën, ndërsa numri i të infektuarve në vend iu afrua 1 milionëshit. Gjithashtu 1.4 milionë fëmijë në Wuhan, qytetin ku e pati origjinën koronavirusi, u rikthyen në shkolla e kopshte më 1 shtator. Nxënësve u kontrollohet temperatura, ndërsa mbajtja e maskës nuk do të jetë e detyrueshme. /Gazeta Sinjali