image Mesazhi i koduar i Vikingëve tregon mbi frikën e tyre për fundin e botës

Botë

Suedi/ Mesazhi i koduar i Vikingëve tregon mbi frikën e tyre për fundin e botës

news image

Një monument gjigant guri i shekullit IX në Suedi mund të jetë ngritur nga Vikingët të cilët i frikësoheshin përsëritjes së një krize të klimës së ftohtë që kishte ndodhur mbi 300 vite më parë. Ky është përfundimi në të cilin kanë dalë shkencëtarët pas një studimi të ri.

Shkëmbi me peshë 5 tonë, dhe i lartë 2 metra, është i gdhendur me runa, germat e përdorura nga Vikingët për të shkruar. Ky është në fakt edhe shkrimi më i gjatë me runa, me 28 rreshta të mbushura me mesazhe të koduara që tregojnë pjesë nga mitologjia nordike. Pavarësisht viteve, mbi 700 germa janë lehtësisht të lexueshme, përveç një rreshti të dëmtuar.

Deri tani, kuptimi i saktë i runave ka qenë evaziv, por së fundmi, një grup studiuesish nga universitetet suedeze kanë dalë në përfundimin se mbishkrimi ka të bëjë me gjendjen e ankthit krijuar te Vikingët pas vdekjes së një të riu dhe frikës për rikthimin e të ftohtit ekstrem. Një gjë e tillë kishte ndodhur, sipas studiuesve në vitet 536-550, ku temperaturat ishin përgjysmuar në të gjithë Skandinavinë.

Në mitologjinë nordike, fenomeni i quajtur Ragnarok, ose fundi i botës, mendohet se do të vijë pas “Dimrit të Madh”, çka, sipas studiuesve suedezë, ka rritur edhe më tepër panikun te Vikingët.