Gjermania është bërë skuadra e dytë që shkon në çerekfinalet e Europianit, pas fitores 2-0 përballë Danimarkës në Dortmund.
Sfida nisi me ritëm të lartë nga “Panzerat” të cilët gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 4’ me Schlotterbeck, i cili u anulua për një faull në zonë. Në minutën e 35’, takimi u ndërpre për shkak të rrufeve të forta që po binin në Dortmund dhe kushteve të rënduara atmosferike, me lojtarët që u futën në dhomat e zhveshjes për rreth 20 minuta.
Pjesa e dytë nisi me gol nga danezët, me Andersen që gjeti rrjetën në minutën e 48’, por VAR-i e anuloi për një pozicion të parregullt për çështje milimetrash.
Vetëm 4 minuta më vonë, ishte pikërisht Andersen që prek një top me dorë në zonë, me gjyqtarin që akordoi një 11-metërsh pas rishikimit me VAR, të cilën Havertz e ktheu në gol.
Danezët provuan të rikthenin baraspeshën, por ishte Musiala i cili në minutën 68’ shënoi dhe golin e dytë për “Panzerat”, duke vulosur kështu kualifikimin.
Kështu Gjermania avancon për në çerekfinale, ku pritet të mësojë kundërshtarin që do të vijë nga takimi mes Spanjës dhe Gjeorgjisë.