Eliminimi dramatik i Kroacisë nga Kupa e Botës ka lënë pasoja të thella emocionale te futbollistët kroatë, pas humbjes ndaj Portugalisë.
Njëri prej tyre ishte mesfushori Petar Sucic, i cili nuk arriti t’i përmbante lotët pas përfundimit të ndeshjes, duke u shfaqur dukshëm i mërzitur në fushë.
Një nga momentet më prekëse të takimit erdhi kur Cristiano Ronaldo iu afrua për ta ngushëlluar pas fishkëllimës së fundit.
Duke folur pas ndeshjes, Sucic pranoi se zhgënjimi ishte i madh, duke theksuar se Kroacia meritonte më shumë nga kjo përballje.
“Ishte ndeshje shumë e mirë, por që për fat të keq nuk përfundoi mirë. Nuk di çka të them, ndihem i zbrazët. Por jam krenar me ekipin, sidomos për pjesën e dytë. Kemi merituar më shumë, të paktën vazhdimet”, u shpreh ai.
Mesfushori kroat nuk e fshehu pakënaqësinë as për vendimet e gjyqtarëve, duke thënë se disa momente kyçe shkuan në dëm të skuadrës së tij.
“Na janë anuluar tri gola, vërtet do të doja që dikush të na sqaronte në ato situata dhe për çka u morën ato vendime. Kishte shumë situata diskutabile që shkuan kundër nesh”, shtoi Sucic.
Pavarësisht eliminimit, 21-vjeçari mori mbështetje nga një prej figurave më të mëdha të futbollit botëror.
Cristiano Ronaldo iu afrua menjëherë pas ndeshjes dhe i dha fjalë inkurajuese, të cilat Sucic i zbuloi më vonë.
“Isha i tronditur, ndërsa më tha që ky është futbolli. Më tha që në futboll ka momente dhe situata të vështira, por se jam i shkëlqyer, që të vazhdoj para dhe që në të ardhmen do të jetë më mirë”, rrëfeu Sucic.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!